RAJONI
2 minuta leximi
Osmani: Arrestimi i shtetasit të Kosovës nga autoritetet serbe u bë mbi baza dhe akuza të rreme
Sipas presidentes kosovare, këto veprime jo vetëm që pengojnë lirinë e lëvizjes, por edhe rrezikojnë çdo përpjekje për dialog e normalizim të marrëdhënieve.
Osmani: Arrestimi i shtetasit të Kosovës nga autoritetet serbe u bë mbi baza dhe akuza të rreme
Osmani: Arrestimi i shtetasit të Kosovës nga autoritetet serbe u bë mbi baza dhe akuza të rreme / AA
11 Qershor 2025

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se arrestimet e qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe gjatë kalimit të kufirit janë veprime arbitrare, të ngjashme me ato shoviniste të viteve 90.

Nëpërmjet një reagimi, Osmani tha se Serbisë nuk i interesojnë as të drejtat e njeriut, as konventat ndërkombëtare, e as standardet evropiane, por, “siç po dëshmohet çdo ditë e më shumë, e vetmja mendësi që i përshtatet është ajo e diktaturave me frymë të së kaluarës”.

Sipas Osmanit, i tillë është edhe arrestimi i qytetarit kosovar Arbnor Spahiu, mbi baza dhe akuza tërësisht të rreme.

“Ky akt nuk ka të bëjë me sundimin e ligjit, por me vazhdimësinë e praktikave të vjetra të një regjimi që refuzon të përballet me të kaluarën dhe që keqpërdor ligjin për të kërcënuar qytetarët tanë. Serbia duhet të ndalë menjëherë fushatën e saj të arrestimeve politike kundër qytetarëve të Kosovës dhe të mbahet përgjegjëse ndërkombëtarisht për veprimet e saj arbitrare”, theksoi Osmani.

Sipas presidentes kosovare, këto veprime jo vetëm që pengojnë lirinë e lëvizjes, por edhe rrezikojnë çdo përpjekje për dialog e normalizim të marrëdhënieve.

Më tej, ajo u shpreh se gjatë ditëve të fundit, përveç kontakteve të vazhdueshme me Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, ka kërkuar edhe reagimin e fuqishëm të shteteve të Quintit dhe Misionit të BE-së, në mënyrë që këto shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e Serbisë të mos injorohen.

Presidenca kosovare, ashtu sikurse Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, bënë thirrje që të shmanget kalimi nëpër Serbi, duke qenë të vetëdijshëm për praktikat arbitrare të arrestimeve pa arsye si dhe për tendenca destabilizuese.

Arbnor Spahiu u arrestua më 7 qershor 2025 nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, teksa po udhëtonte me autobus së bashku me familjen e tij, duke u kthyer nga Austria. Sipas deklarimeve të familjarëve dhe avokatit mbrojtës, akuzat e ngritura ndaj Spahiut kanë të bëjnë me rastin e Banjskës.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us