RAJONI
2 minuta leximi
Sejko: Shumë ekonomi po përballen me rënie demografike dhe ndryshime në tregun e punës
Guvernatori i Bankës Qendrore të Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh se raportit i BERZh-it me temë "Riformulimi i politikave industriale në një peizazh global që ndryshon", hap siparin e analizave profesionale ekonomike për vitin 2025.
Sejko: Shumë ekonomi po përballen me rënie demografike dhe ndryshime në tregun e punës
Sejko: Shumë ekonomi po përballen me rënie demografike dhe ndryshime në tregun e punës / TRT Balkan
28 Maj 2025

Në Tiranë është prezantuar raporti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) me temë "Riformulimi i politikave industriale në një peizazh global që ndryshon".

Sipas BERZh-it, politikat industriale kanë për qëllim që të ndryshojnë përbërjen sektoriale në një ekonomi. Në raport theksohet se shumë ekonomi po rrisin presionet fiskale dhe disa banka qendrore kanë filluar të ulin normat bazë të interesit.

Gjatë prezantimit të këtij raporti u theksua se politikat industriale në vendet e Ballkanit Perëndimor kanë më shumë gjasa të ndikojnë në sektorin e agrobiznesit dhe ndërtimit.

Në fjalën e tij në aktivitet, guvernatori i Bankës Qendrore të Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh se ky raport hap siparin e analizave profesionale ekonomike për vitin 2025.

"Ky raport ofron një analizë të thelluar të një problemi tepër dinamik të ditëve të sotme: riformulimin e politikave industriale në një kontekst global të ndryshuar nga sfida dhe mundësi të reja. Duke e vendosur në temën qendrore të raportit të këtij viti, BERZh-i nxjerr në pah gjendjen gjithnjë e më komplekse dhe ringjalljen strategjike të politikave industriale, si mjet për përballimin e ndryshimeve strukturore në ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim, në shekullin XXI", tha Sejko.

Ai u shpreh se shumë ekonomi, përfshirë edhe të Shqipërisë, po përballen sot me rënie demografike, ndryshime në tregun e punës dhe disbalanca sektoriale. "Në këtë kontekst, debati mbi politikat industriale ka kaluar nga diskutimi, në strategji të qarta, të bazuara në të dhëna", tha ndër të tjera Sejko.

Sejkoi shtoi se në Shqipëri dhe në rajon, u kanë dhënë përparësi reformave strukturore që ndërtojnë institucione të forta, përmirësojnë klimën e biznesit dhe sipas tij krijojnë një ekonomi të hapur dhe konkurruese.

Sipas tij, këto reforma kanë kontribuuar në një rritje ekonomike mesatare prej 3,5-4 për qind në vit gjatë pesë viteve të fundit, ulje të papunësisë në 11,3 për qind në 2024 dhe një rritje të konsumit privat me 7 për qind.

Politika industriale (Industrial policy) i referohet ndihmës qeveritare për bizneset për të nxitur ose riformësuar aktivitete specifike ekonomike.

 


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us