Grupi Houthi në Jemen njoftoi të martën se po rikthen ndalimin e kalimit të të gjitha anijeve izraelite në Detin e Kuq, Detin Arab dhe Ngushticën Bab al-Mandab, pasi skadoi afati katër-ditor që i dhanë Izraelit për të lejuar ndihma humanitare në Rripin e Gazës.
Deklarata u bë nëpërmjet një adresimi televiziv nga zëdhënësi i Forcave të Armatosura të Jemenit, Yahya Saree, e publikuar në llogarinë e tij në platformën X.
Pak orë më parë, kabineti i tyre i panjohur ndërkombëtarisht u mblodh në Sana’a për të diskutuar mbi ultimatumin katër-ditor dhënë Tel Avivit, sipas agjencisë Saba të kontrolluar nga Houthit.
Sipas raportimeve, ata konfirmuan gatishmërinë për të goditur anijet izraelite nëse ndihmat nuk arrijnë në Gaza brenda afatit, duke paralajmëruar se të gjitha sektorët e qeverisë janë përgatitur për çdo zhvillim apo pasojë që mund të vijë nga ky qëndrim solidariteti me palestinezët.
Lideri i Houthive, Abdul Malik al-Houthi, përsëriti të hënën se forcat e tij ishin “të gatshme dhe të përgatitura” për të vepruar kundër Izraelit sapo të përfundonte afati.
“Pas skadimit të afatit të vendosur nga komandanti Abdul Malik al-Houthi për ndërmjetësuesit që t’i detyrojnë izraelitët të rihapin kalimet dhe të lejojnë ndihmat për Gazën, dhe duke qenë se ndërmjetësit dështuan në këtë përpjekje Forcat e Armatosura Jemenas konfirmojnë rifillimin e ndalimit të të gjitha anijeve izraelite në zonën e shpallur operacionale, që përfshin Detin e Kuq, Detin Arab, Ngushticën e Bab al-Mandab dhe Gjirin e Adenit”, tha zëdhënësi ushtarak i Houthive, Saree.
Ai paralajmëroi se “çdo anije izraelite që përpiqet të thyejë këtë ndalim do të shënjestrohet brenda zonës së përcaktuar operacionale”, duke shtuar se ndalimi do të vazhdojë “derisa të hapen kalimet për në Gaza dhe të lejohen ndihmat, ushqimi dhe ilaçet”.
Izraeli ende nuk ka komentuar mbi kërcënimet e Houthive.
Lufta dhe bllokada në Gaza
Ky zhvillim vjen pas përfundimit të fazës së parë 42-ditore të një armëpushimi në Gaza më 1 mars, i ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe ShBA-ja. Izraeli refuzoi të kalojë në fazën e dytë të marrëveshjes — e cila kërkonte ndalimin e plotë të luftës dhe rihyri në Gaza duke bllokuar të gjitha kalimet për ndihma nga data 8 mars.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kërkon të zgjasë fazën e parë për të siguruar lirimin e më shumë pengjeve izraelite, pa përmbushur detyrimet humanitare të marrëveshjes, një taktikë që kritikët thonë se synon të qetësojë linjën e ashpër brenda koalicionit të tij.
Nga ana tjetër, grupi palestinez Hamas refuzon këtë qasje dhe këmbëngul që Izraeli të respektojë kushtet e armëpushimit, duke i bërë thirrje ndërmjetësve të nisin menjëherë bisedimet për fazën e dytë, e cila përfshin tërheqjen e plotë izraelite dhe përfundimin e luftës.
Sulmet e Houthive dhe përplasjet me Izraelin
Që nga nëntori 2023, Huthitë kanë nisur sulme me raketa dhe dronë kundër objektivave izraelite dhe anijeve të lidhura me Izraelin, duke goditur herë pas here edhe territoret izraelite, përfshirë Tel Avivin, “në solidaritet me Gazën”.
Izraeli është kundërpërgjigjur me sulme ajrore mbi objektiva ushtarake të supozuara të Houthive në Jemen, deri sa armëpushimi në Gaza ndali përplasjet më 19 janar.