Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të martën se marrëveshjet e arritura midis Rusisë dhe Ukrainës në bisedimet e së hënës në Istanbul janë të rëndësishme, por se nuk duhet të pritet përparim i shpejtë drejt përfundimit të konfliktit.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Moskë, Peskov theksoi se nuk duhet të priten zgjidhje të menjëhershme për shkak të kompleksitetit të problemit, por se puna për të vazhdon.
"Sigurisht, do të ishte gabim të pritej zgjidhje dhe përparime të menjëhershme. Por, puna vazhdon dhe në Istanbul u arritën marrëveshje të caktuara. Ato janë të rëndësishme, sepse në fund të fundit kanë të bëjnë me jetën e njerëzve. Këto marrëveshje do të zbatohen dhe puna do të vazhdojë", tha ai.
Peskov tha gjithashtu se Rusia i dorëzoi Ukrainës një memorandum që përmbante vizionin e Moskës për një zgjidhje me shumë dispozita, duke përfshirë opsione të shumta.
"Edhe një herë, më lejoni të theksoj se ne kemi thënë vazhdimisht se çështja e zgjidhjes së konfliktit është jashtëzakonisht komplekse dhe përfshin një mori detajesh të ndërlikuara. Gjithçka synon eliminimin e shkaqeve fillestare të konfliktit dhe ecjen në rrugën drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme", tha ai.
I pyetur në lidhje me një takim trepalësh midis presidentëve të Rusisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës 0dhe Ukrainës, Peskov tha se nuk ka gjasa të ndodhë në të ardhmen e afërt.
"Presidenti rus Vlladimir Putin ka theksuar vazhdimisht gatishmërinë e tij për kontakte të nivelit të lartë, ndërsa theksoi se këto kontakte duhet të jenë rezultat i marrëveshjeve që do të përpunohen në nivel teknik dhe ekspertësh. Presidenti Putin mbështet idenë e kontakteve, por beson se ato duhet të jenë të përgatitura mirë", tha ai.
Peskov gjithashtu kritikoi Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke thënë se ai foli me paturpësi për delegacionin rus dhe se një sjellje e tillë nuk është në përputhje me frymën e negociatave.
Më 2 qershor (të hënën), Istanbuli priti raundin e dytë të bisedimeve midis Rusisë dhe Ukrainës, pasi takimi i parë pas tre vitesh u zhvilluar më 16 maj. Këtë herë, të dyja palët ranë dakord të shkëmbejnë më shumë të burgosur lufte, duke u përqendruar te më të rinjtë dhe më të plagosurit rëndë, dhe të kthejnë trupat e 12.000 ushtarëve që vdiqën në konfliktin e armatosur.