Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi të mërkurën se çdo sulm rus që synon rajonin e Baltikut do të përballet me një përgjigje "shkatërruese", duke riafirmuar angazhimin e aleancës mbrojtëse për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të saj.
Duke folur në një konferencë për shtyp përpara takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s të enjten në Bruksel, Rutte theksoi urgjencën e forcimit të aftësive parandaluese dhe mbrojtëse në përgjigje të kërcënimeve globale në rritje.
Lidhur me një sulm të mundshëm rus në rajonin e Baltikut, Rutte tha: "Vlladimir Putin duhet ta dijë se nëse do ta provojë këtë, reagimi ynë do të jetë shkatërrues. Dhe ai e di (këtë). Ajo për të cilën duhet të sigurohemi është se nuk është vetëm shkatërruese sot, por se duhet të jetë shkatërruese dhe shumë efektive pas tre, pesë, shtatë vjetësh nga tani. Dhe kjo është arsyeja pse duhet të shpenzojmë më shumë kur bëhet fjalë për rajonin e Baltikut."
Rutte tha se shpenzimet më të larta për mbrojtjen janë thelbësore, duke vënë në dukje se ndërsa shumica e aleatëve janë në rrugën e duhur për të përmbushur objektivin prej 2% të PBB-së këtë vit, "ne duhet të shkojmë më tej dhe më shpejt" për të adresuar boshllëqet në planet e mbrojtjes kolektive të NATO-s.
Ai hodhi poshtë spekulimet mbi tërheqjen e trupave amerikane nga Evropa dhe u bëri thirrje aleatëve të ndalojnë së vënë në pikëpyetje qëndrimin e Uashingtonit dhe në vend të kësaj të përmbushin përgjegjësitë e tyre.
"Nuk ka plane për momentin që ShBA-ja t'i tërheqë trupat. Ajo që dimë është se ShBA-ja është plotësisht e përkushtuar ndaj NATO-s. Ata presin që aleatët evropianë dhe kanadezë të shpenzojnë shumë më tepër", shtoi ai.
Sekretari i përgjithshëm konfirmoi gjithashtu se Ukraina është ftuar në Samitin e NATO-s në Hagë më 24-26 qershor.
Takimi i së enjtes synon të hedhë themelet për Samitin e NATO-s muajin e ardhshëm në Hagë, me vendime që priten mbi objektiva të reja ambicioze të aftësive, duke përfshirë mbrojtjen ajrore dhe raketore, armët me rreze të gjatë veprimi dhe formacionet e mëdha të manovrave tokësore.
Ministrat pritet gjithashtu të diskutojnë një plan të ri investimesh në mbrojtje dhe të mbledhin Grupin e Planifikimit Bërthamor, si pjesë e përpjekjeve për të penguar kërcënimet dhe për ta ruajtur paqen përmes aftësive të besueshme.