Ministri i Jashtëm rus Sergey Llavrov tha se është e rëndësishme mosnënshtrimi ndaj provokimeve që e synojnë prishjen e negociatave me Ukrainën dhe vazhdimin e blerjes së armëve nga vendet evropiane.
Llavrov bëri vlerësime në lidhje me negociatat me Ukrainën në Istanbul në një takim qeveritar me presidentin rus Vlladimir Putin.
Duke shprehur mendimin e tij mbi rezultatet e negociatave, Llavrov tha: “Mendoj se rezultatet janë të rëndësishme dhe të dobishme. Procesi i negociatave të drejtpërdrejta vazhdon”.
Duke theksuar se negociatat në Stamboll prodhuan rezultate konkrete, përfshirë shkëmbimin e mijëra të burgosurve të luftës, Llavrov kujtoi se në negociatat e fundit u arrit një marrëveshje jo vetëm për shkëmbimin e të burgosurve, por edhe për kthimin e të plagosurve rëndë, të sëmurëve dhe gjithashtu trupave.
“Unë besoj se është gjithmonë më mirë të kesh një kanal komunikimi në çdo rrethanë. Kjo do të na lejojë të zgjidhim problemet humanitare para së gjithash. Koordinimi i hapave të ndërsjellë humanitarë si gjeste të vullnetit të mirë, si masa për ta forcuar besimin, është ndoshta i nevojshëm në këtë fazë. Ka përparim të vërtetë këtu”, shtoi kryediplomati rus.
Duke komentuar refuzimin nga ana e Ukrainës të një propozimi të shkurtër armëpushimi 2-3-ditor për mbledhjen e trupave në zona të caktuara të vijave të konfliktit, Lavrov tha: “Ndoshta ka ende të plagosur atje. Është qartë një gabim i madh i regjimit të Kievit që (presidenti Volodymyr) Zelenskyy e hodhi poshtë në mënyrë kaq kategorike dhe të vrazhdë, ashtu siç injoroi armëpushimet tona të ngjashme humanitare me rastin e Pashkëve dhe 80-vjetorit të Fitores së Madhe”.
Lavrov po ashtu tha se ka pasur provokime në territorin rus ditët e fundit.
“Pavarësisht provokimeve të reja të mëdha kriminale gjatë ditëve të fundit, mendoj se është e rëndësishme të mos u nënshtrohemi këtyre veprimeve provokuese, të cilat synojnë qartë prishjen e negociatave dhe vazhdimin e blerjes së armëve nga vendet evropiane”, tha ai.
Llavrov shtoi se beson se të gjitha mjetet, përfshirë negociatat, duhet të përdoren për t'i arritur qëllimet e “operacionit special ushtarak”.