Me rastin e 25-vjetorit të fillimit të detyrës së ushtarëve turq në kuadër të Misionit të NATO-s në Kosovë - KFOR, është rinovuar dhe hapur për shërbim një pjesë e Parkut të Marashit në qytetin e Prizrenit.
Për hapjen e projektit të renovimit të Parkut të Marashit u mbajt një ceremonie organizuar nga Delegacioni Përfaqësues i Türkiyes në Kosovë (KFOR-i Turk).
Në ceremoni morën pjesë Konsulli i Përgjithshëm i Türkiyes në Prizren, Celal Doğan, shefi i Komitetit Përfaqësues të Türkiyes së Kosovës, kolonel Ersin Çelikkanat, delegacione nga Presidenca dhe Ministria e Mbrojtjes e Türkiyes si dhe përfaqësues të organizatave turke dhe lokale në Kosovë.
Në fjalën e tij këtu, konsulli i përgjithshëm Doğan tha se Türkiye do të vazhdojë të qëndrojë pranë Kosovës me institucionet e saj të ndryshme.
Doğan tha se ushtria turke është treguar shembull në Kosovë me projektet që ka realizuar ndër vite.
"Ushtria turke kontribuon jo vetëm në mbrojtjen e Kosovës, por edhe në arsimin, kulturën, ekonominë dhe shëndetin e saj me projektet që ka zhvilluar në çdo aspekt", tha ai.
Koloneli Çelikkanat tha se kanë realizuar projekte të shumta në shumë fusha për të mirën e popullit të Kosovës.
"Ceremonitë e hapjes të projekteve që zhvillojmë përbëjnë një nga aktivitetet tona të rëndësishme që demonstrojnë, zhvillojnë dhe përforcojnë unitetin dhe solidaritetin tonë, frymën tonë të solidaritetit dhe miqësinë tonë historike me popullin e Kosovës", tha ai.
Pas fjalimeve, të pranishmit prenë shiritin e hapjes së projektit dhe të ftuarit panë nga afër renovimet.
Në kuadër të projektit u rinovuan amfiteatri, stolat e ndenjëseve, koshat e mbeturinave dhe llambat ndriçuese të Parkut të Marashit. Në park u punua gjithashtu edhe peizazhi dhe u mbollën 25 fidanë të pishave për ta treguar simbolikisht 25-vjetorin e fillimit të detyrës së ushtarëve turq në Kosovë.
Ushtarët turq shërbejnë si paqeruajtës në Kosovë që nga viti 1999.