Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka theksuar se partneriteti mes Türkiye-s dhe Azerbajxhanit është një shembull frymëzimi për të gjitha “vendet vëllazërore” brenda Organizatës së Shteteve Turke (OTS).
Duke folur për gazetarët gjatë kthimit nga Azerbajxhani të enjten, Erdoğan falënderoi presidentin Ilham Aliyev dhe popullin azerbajxhanas për mikpritjen gjatë vizitës së tij me rastin e Ditës së Pavarësisë së Azerbajxhanit më 28 maj.
“Türkiye dhe Azerbajxhani po zhvillojnë partneritete në shumë fusha, dhe ne i konsiderojmë mbrojtjen, energjinë, bujqësinë dhe blegtorinë si fusha strategjike. Tani, duam të vendosim bashkëpunim edhe më të ngushtë me Azerbajxhanin për sigurinë e furnizimit me ushqime,” tha Erdoğan.
Ai shtoi se ky thellim i lidhjeve është një shembull për “vendet tona të tjera vëllazërore, anëtare të Organizatës së Shteteve Turke. Ne do t’u japim përparësi vendeve vëllazërore për produktet ku kemi tepricë. Së bashku do të prodhojmë më shumë, do të ndajmë më shumë dhe do të ecim më të sigurt drejt të ardhmes.”
Rinisja e procesit të paqes në Istanbul
Presidenti turk mirëpriti propozimin e ministrit të Jashtëm rus, Sergey Llavrov, për mbajtjen sërish të bisedimeve të paqes me Ukrainën në Istanbul. Takimet e para direkte midis Moskës dhe Kievit pas tri vitesh u mbajtën në këtë metropol turk më herët gjatë këtij muaji.
“Llavrov tha se Rusia dëshiron që raundi i dytë i bisedimeve me Ukrainën të mbahet në Istanbul. Kjo do të mundësonte rinisjen e procesit të paqes në Istanbul,” deklaroi Erdoğan.
Ai theksoi se “deklarata e ministrit të Jashtëm rus, Llavrov, nuk duhet të merret lehtë, ajo na ka shtuar edhe më shumë shpresat për paqe.”
“Ne vazhdojmë përpjekjet tona për paqe, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Jemi në kontakt me të dyja palët, Rusinë dhe Ukrainën. E shohim këtë moment si një mundësi për paqe të qëndrueshme. Në çdo takim, u kujtojmë bashkëbiseduesve tanë se kjo mundësi nuk duhet humbur,” tha presidenti turk.
“Integriteti territorial dhe uniteti kombëtar i Sirisë duhet të ruhen”
Lidhur me integrimin e vazhdueshëm të forcave terroriste të Forcave Demokratike Siriane me qeverinë e re në Damask, Erdoğan përsëriti thirrjen që “integriteti territorial dhe uniteti kombëtar i Sirisë duhet të ruhen.”
“Ne kemi thënë më herët se e mirëpresim marrëveshjen e arritur. Shohim se Forcat Demokratike Siriane ende po përdorin taktika për të vonuar procesin, dhe ata duhet të ndalojnë. Ne po e ndjekim nga afër zbatimin e vendimeve të marra,” theksoi ai.
Kërkime të reja në Pakistan
Presidenti turk njoftoi gjithashtu se “Kompania Shtetërore Turke e Naftës ka rënë dakord të kryejë kërkime në dy fusha në tokë në Pakistan.”
Erdoğan shtoi se është arritur marrëveshje edhe për kërkime detare për gaz natyror, të cilat do të fillojnë së shpejti.