TÜRKİYE
3 minuta leximi
Hakan Fidan do të realizojë një vizitë dyditore zyrtare në Ukrainë
Gjatë vizitës së tij më 29-30 maj është planifikuar që Fidan të pritet nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe kryeministri Denys Shmyhal.
Hakan Fidan do të realizojë një vizitë dyditore zyrtare në Ukrainë
Hakan Fidan do të realizojë një vizitë dyditore zyrtare në Ukrainë / TRT Balkan
28 Maj 2025

Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan do të vizitojë Ukrainën më 29-30 maj, me ftesë të ministrit të Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha.

Sipas informacionit të marrë nga burime të Ministrisë së Jashtme të Türkiyes, Fidan do ta vizitojë Ukrainën dhe krahas çështjeve në agjendën e marrëdhënieve dypalëshe do të zhvillojë bisedime edhe për çështjet rajonale dhe globale.

Gjatë vizitës së tij më 29-30 maj është planifikuar që Fidan të pritet nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe kryeministri Denys Shmyhal.

Fidan, i cili do të takohet me homologun e tij ukrainas Sybiha, pritet të zhvillojë bisedime dypalëshe me zyrtarë të nivelit të lartë, përfshirë shefin e Zyrës së Presidentit ukrainas Andriy Yermak dhe ministrin e Mbrojtjes Rustem Umerov, i cili udhëhoqi delegacionin ukrainas në negociatat direkte midis delegacioneve ukrainase dhe ruse në Istanbul më 16 maj.

Në kuadër të vizitës Fidan pritet të takohet me bashkatdhetarët tatarë të Krimesë dhe turq gagauz, veçanërisht me deputetin ukrainas Mustafa Kırımoğlu, që është udhëheqësi kombëtar i tatarëve të Krimesë dhe kryetar i Asamblesë Kombëtare tatare të Krimesë, Refat Chubarov.

Lufta Rusi-Ukrainë do të jetë në agjendë

Në bisedime, Fidan do të diskutojë hapat që mund të ndërmerren për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në fushat e tregtisë, energjisë, mbrojtjes dhe sigurisë, brenda kuadrit të bashkëpunimit të vendosur në bazë të partneritetit strategjik midis Türkiyes dhe Ukrainës.

Duke përsëritur mbështetjen e Türkiyes për integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, Fidan do të tërheqë vëmendjen ndaj efekteve negative gjithnjë e më serioze të luftës Rusi-Ukrainë dhe do të theksojë se lufta duhet të përfundojë përmes diplomacisë dhe duhet të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme.

Fidan do të deklarojë se Türkiye është e gatshme ta bëjë pjesën e saj për ta siguruar paqen dhe për t’i pritur bisedimet pasuese midis dy vendeve, siç ka bërë deri më tani.

Kryediplomati turk do ta tërheqë vëmendjen ndaj rëndësisë për garantimin e sigurisë së lundrimit në Detin e Zi dhe do të deklarojë se Türkiye është e gatshme të luajë një rol në rindërtimin e Ukrainës.

Fidan do të theksojë se i kushton shumë rëndësi situatës së tatarëve të Krimesë, se vlerëson rregullimet ligjore të bëra nga qeveria ukrainase për të forcuar të drejtat e tatarëve të Krimesë dhe se dëshiron që të ndërmerren hapa shtesë pozitivë në këtë drejtim.

Marrëdhëniet Türkiye-Ukrainë

Vizitat midis Türkiyes dhe Ukrainës në nivel ministrash të jashtëm vazhdojnë pa e humbur vrullin.

Vizitën e tij të fundit dypalëshe në Ukrainë Fidan e zhvilloi më 25 gusht 2023, ndërsa ministri i Jashtëm ukrainas Sybiha e zhvilloi vizitën e tij të fundit dypalëshe në Türkiye më 21-22 tetor 2024.

Ministri Sybiha ka marrë pjesë gjithashtu në Forumin e Diplomacisë së Antalyas më 11-13 prill. Fidan dhe Sybiha u takuan në Antalya më 14 maj 2025.

Përveç nivelit të ministrave të jashtëm, kohët e fundit ka pasur një rritje të konsiderueshme të vizitave zyrtare nga Ukraina në Türkiye në të gjitha nivelet.

Presidenti ukrainas Zelenskyy ka vizituar Türkiyen më 8 mars 2024, 17-18 shkurt 2025 dhe së fundmi më 15-16 maj.

Përveç kësaj, kryetari i Parlamentit ukrainas Ruslan Stefanchuk vizitoi Türkiyen më 13-15 maj 2024, ministri i Mbrojtjes Umerov më 14 maj 2024 dhe Shefi i Zyrës Presidenciale Yermak, i shoqëruar nga ministri Umerov më 28 qershor 2024.

Pavarësisht efekteve negative të luftës që vazhdon, vëllimi tregtar midis Türkiyes dhe Ukrainës u regjistrua në 6,2 miliardë dollarë në vitin 2024.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us