Kosova dhe Maqedonia e Veriut kryesojnë në rajon sa i përket përfaqësimit të grave në parlament, duke shënuar nga 47 gra deputete secila, që përbëjnë 39,2 për qind të përbërjes parlamentare. Këto janë të dhënat e siguruara nga TRT Balkan, bazuar në informacionet zyrtare të publikuara nga kuvendet përkatëse në rajon.
Pas Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, në vend të tretë renditet Serbia me 93 gra deputete nga gjithsej 250, që përbën 37,2 për qind. Më pas vjen Shqipëria me 50 gra në një parlament prej 140 deputetësh, duke arritur një përfaqësim prej 35,7 për qind.
Ndërkohë, Mali i Zi ka 22 gra deputete nga 81, ose 27,2 për qind, ndërsa përfaqësimi më i ulët i grave është shënuar në Bosnjë e Hercegovinë, me 12 gra nga 58 deputetë gjithsej, që përbën vetëm 20,69 për qind të trupit legjislativ.
Këto të dhëna pasqyrojnë progresin dhe sfidat e vendeve të Ballkanit Perëndimor në drejtim të barazisë gjinore në përfaqësimin politik. Në disa raste, përfaqësimi i lartë i grave në parlament është rezultat edhe i kuotave gjinore të vendosura me ligj, por gjithsesi shënon një hap pozitiv drejt një përfaqësimi më të balancuar dhe gjithëpërfshirës në institucionet shtetërore.