RAJONI
2 minuta leximi
Kosovë, përkujtohet 24 marsi, fillimi i bombardimeve të NATO-s
"Dita kur aleatët e NATO-s u ngritën kundër së keqes, për të mbrojtur një popull që po luftonte për ekzistencë, i rrezikuar nga regjimi gjenocidal i Serbisë", shkroi presidentja Osmani.
Kosovë, përkujtohet 24 marsi, fillimi i bombardimeve të NATO-s
Kosovë, përkujtohet 24 marsi, fillimi i bombardimeve të NATO-s / AA
24 Mars 2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar fillimin e fushatës së bombardimeve të NATO-s në Kosovë, në përvjetorin e 26 të tyre.

Osmani nëpërmjet rrjeteve sociale ka thënë se 24 marsi 1999, është dita kur bota demokratike nuk heshti, derisa falënderoi aleatët që ndihmuan Kosovën për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

"Dita kur aleatët e NATO-s u ngritën kundër së keqes, për të mbrojtur një popull që po luftonte për ekzistencë, i rrezikuar nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Ishte dita kur ndaj errësirës triumfoi drita e shpresës. Nga flaka e sakrificës dhe lufta çlirimtare, lindi Kosova e lirë! 26 vjet më pas, Kosova ecën krenare, sovrane dhe e palëkundur drejt të ardhmes më të ndritur", ka shkruar Osmani.

Përvjetorin e ndërhyrjes së parë të NATO-s në Kosovë e ka kujtuar edhe ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili tha se kjo ditë shënoi momentum të ri për Kosovën.

"Lufta e UÇK-së dhe Intervenimi i NATO-s, 26 vite më parë, ishte e vetmja formë që arriti t'i jepte fund spastrimit etnik të Kosovës, të ndërpriste vrasjet e fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimet sistematike, përndjekjet, djegiet e dëbimet me dhunë dhe me forcë, prandaj 24 marsi është rreshtim jo vetëm me popullin e Kosovën, por rreshtim edhe me anën e duhur të historisë së njerëzimit", shkroi Maqedonci.

Ai shtoi tutje se Kosova është e përkushtuar ta thellojë bashkëpunimin dhe angazhimin për t’iu bashkuar NATO-s.

Më 24 mars të vitit 1999 ndodhi fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë.


BURIMI:AA
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us