Zëvendëskryeministrja dhe njëkohësisht ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku, mori pjesë sot në konferencën e dytë të nivelit të lartë të drejtorëve të përgjithshëm të Doganave të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së, me temë “Partneriteti doganor për një Europë të lidhur – Thellimi i bashkëpunimit doganor CEFTA-BE për lidhje të pandërprera”.
Në fjalën e saj, Balluku theksoi rëndësinë e procesit të zgjerimit të BE-së dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar atë si “investimin më të rëndësishëm gjeopolitik të Bashkimit Evropian në këtë dekadë”.
“Anëtarësimi në BE nuk ka të bëjë vetëm me zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin, por me vlerat e përbashkëta evropiane që ndajnë popujt tanë”, deklaroi ajo.
Ministrja u shpreh se shqiptarët jemi banorë autoktonë të zemrës së Evropës, mesdhetarë, si fqinjët tanë grekë e italianë.
Zëvendëskryeministrja tha në konferencë se Shqipëria sot ndodhet në prag të certifikimit administrativ dhe zyrtar për anëtarësim të plotë në BE.
Sipas saj, Shqipëria ka kaluar një histori të vështirë, por ka treguar përkushtim për përmbushjen e detyrimeve që kërkon integrimi.
“Pas shumë sfidash, jemi sot më afër se kurrë portës së dikurshme të mbyllur, që sot është gjysmë e hapur. Besojmë fort në angazhimin e administratës shqiptare dhe në vullnetin politik të vendeve anëtare të BE-së për të na mirëpritur”, tha Balluku, duke shtuar se kontributi i doganave shqiptare në këtë drejtim luan një rol kyç në rrugën drejt BE-së.
Ndërkaq, ajo tha se bashkëpunimi doganor CEFTA-BE përbën një shtyllë strategjike, e cila forcohet edhe më tej nëpërmjet këtij takimi mes drejtuesve të doganave të rajonit dhe vendeve të BE-së.
“Objektivi kryesor”, vuri në dukje ministrja shqiptare, “është ndërtimi i një unioni doganor funksional, që garanton siguri, lehtëson tregtinë e ligjshme dhe përgatit ekonomitë e rajonit për integrim të plotë në tregun e përbashkët evropian.”
Ajo nënvizoi gjithashtu rolin strategjik që mund të luajë Shqipëria në të ardhmen si “portë hyrëse dhe dalëse e Bashkimit Evropian”, duke theksuar nevojën për mbështetje teknike nga partnerët, zhvillim të kapaciteteve administrative dhe njerëzore, si dhe përkushtim politik për t'i përmbushur standardet evropiane.
Në vijim të konferencës, ajo shprehu bindjen se diskutimet do të përqendrohen në tema të rëndësishme si zhvillimi i korsive të gjelbra dhe blu, forcimi i kapaciteteve doganore, dhe thellimi i bashkëpunimit në kontekstin e zgjerimit të BE-së dhe zbatimit të Planit të Rritjes së Unionit.
Balluku ndau gjithashtu progresin e bërë nga Shqipëria në fushën e digjitalizimit dhe integrimit të inteligjencës artificiale në administratën publike, të cilat, sipas saj, kanë sjellë “rezultate të dukshme në uljen e kohës së operimeve dhe në përmirësimin e shërbimeve ndaj biznesit.”
Më tej, Balluku e përshkroi këtë periudhë si një moment historik: “Është fat të jesh në kohën e duhur dhe në vendin e duhur për të udhëhequr këtë rrugëtim drejt Unionit Doganor Evropian.”
“Historia 57-vjeçare e suksesit të BE-së është udhërrëfyesi më i mirë për administratat doganore të Ballkanit Perëndimor”, përfundoi ajo.