BOTA
2 minuta leximi
Zelenskyy: Rusia brenda 5 vitesh mund të sulmojë një anëtar të NATO-s
Në një intervistë me "Sky News", Zelenskyy tha se beson që Rusia mund të sulmojë një shtet anëtar të NATO-s brenda pesë vitesh për të testuar Nenin 5 të NATO-s ku thuhet se një sulm kundër një anëtari të NATO-s konsiderohet sulm kundër të gjithëve.
Zelenskyy: Rusia brenda 5 vitesh mund të sulmojë një anëtar të NATO-s
Zelenskyy: Rusia brenda 5 vitesh mund të sulmojë një anëtar të NATO-s / AP
24 Qershor 2025

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se Rusia mund të sulmojë një vend të NATO-s brenda pesë vitesh, duke shtuar se plani i aleancës për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 5 për qind të PBB-së është "shumë i ngadaltë". 

Në një intervistë me "Sky News", Zelenskyy theksoi se beson që Rusia mund të sulmojë një shtet anëtar të NATO-s brenda pesë vitesh për të testuar Nenin 5 të NATO-s ku thuhet se një sulm kundër një anëtari të NATO-s konsiderohet sulm kundër të gjithëve.

Kur u pyet nëse kjo mund të ndodhë brenda disa muajsh, Zelenskyy tha se nuk beson se Presidenti rus, Vladimir Putin, është gati.

"Ne besojmë se, duke filluar nga viti 2030, Putini mund të ketë aftësi dukshëm më të mëdha", theksoi ai, duke iu referuar planeve të anëtarëve të NATO-s për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 5 për qind të PBB-së deri në vitin 2035.

"Sot, Ukraina po e pengon atë, ai nuk ka kohë për të stërvitur ushtrinë", tha presidenti ukrainas.

Duke thënë se Putini "ka nevojë për një pauzë" dhe ka nevojë që "sanksionet të hiqen", ai shtoi: "10 vjet është një kohë shumë e gjatë. Ai do të ketë një ushtri të re gati (deri atëherë)."

Për presidentin ukrainas, sanksionet kundër Rusisë nuk po funksionojnë pasi disa vende po lejojnë që komponentët me përdorim të dyfishtë të përdorur në prodhimin e dronëve dhe raketave të vazhdojnë të hyjnë në Rusi.

Zelenskyy kreu një vizitë në Londër të hënën, ku zhvilloi bisedime me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, të përqendruara në forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje.

Gjatë vizitës, Mbretëria e Bashkuar dhe Ukraina nënshkruan një "marrëveshje historike" për të bashkëpunuar në teknologjinë e fushës së betejës.

"Kjo marrëveshje do të rrisë prodhimin e dronëve në Ukrainë dhe do të lidhë industrinë e mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar me teknologjinë më të përparuar që po zhvillohet në vijat e frontit në Ukrainë", sipas një deklarate nga Zyra e Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us