RAJONI
2 minuta leximi
Konfirmohet rasti i parë me linë e majmunit në Shqipëri, IShP-ja: Pacienti u rikuperua
Drejtoresha e Institutit të Shëndetësisë Publike u shpreh se Shqipëria është e përgatitur për çdo skenar të mundshëm, pasi disponon vaksina të mjaftueshme.
Konfirmohet rasti i parë me linë e majmunit në Shqipëri, IShP-ja: Pacienti u rikuperua
Konfirmohet rasti i parë me linë e majmunit në Shqipëri, IShP-ja: Pacienti u rikuperua / Getty Images
12 Qershor 2025

Instituti i Shëndetësisë Publike (IShP) ka konfirmuar rastin e parë me linë e majmunit në Shqipëri, të identifikuar më 18 maj dhe tashmë të rikuperuar plotësisht.

Në një intervistë televizive, drejtoresha e IShP-së, Eugena Tomini, bëri të ditur se i prekuri ishte një 31-vjeçari nga Shqipëria e Mesme, i cili kishte udhëtuar më parë në Itali. 

“Rasti është ndjekur dhe konfirmuar nga Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim me QSUT-në dhe klinikën e sëmundjeve infektive. Rasti nuk është autokton shqiptar, por ka pasur histori udhëtimi në shtetin fqinj, Itali. Sigurisht në bazë të një plan veprimi për MPox, linë e majmunit, janë zbatuar të gjitha masat për ndjekjen, vlerësimin dhe hetimin epidemiologjik për sa i përket izolimit të rastit dhe ndjekjes klinike”, tha Tomini.

Ajo sqaroi se pacienti është izoluar për 28 ditë në banesë dhe është ndjekur në distancë nga shërbimi infektiv, pa pasur nevojë për shtrim spitalor. “Izolimi në spital parashikohet vetëm në rastet me komplikacione apo sëmundje bashkëshoqëruese. Në këtë rast nuk pati nevojë, ndaj u ndoq në kushte ambulatore dhe është rikuperuar plotësisht”, deklaroi ajo.

Ndërkohë, janë kryer hetimet epidemiologjike për kontaktet e ngushta të pacientit, të cilat rezultuan negative.

Tomini theksoi se lia e majmunit përhapet vetëm përmes kontakteve të ngushta dhe të përsëritura. “Rrugët e infektimit janë disa, si p.sh. kontaktet e ngushta dhe të përsëritura lëkurë me lëkurë, rrugët seksuale, si dhe prekja dhe përdorimi i të njëjtave objekte”, shtoi drejtuesja e IShP-së.

Drejtoresha e IShP-së siguroi gjithashtu se Shqipëria është e përgatitur për çdo situatë të mundshme, pasi disponon vaksina të mjaftueshme. 

Lia e majmunit është një infeksion viral që shfaqet me simptoma të ngjashme me gripin dhe karakterizohet nga puçrra të mbushura me qelb. Në shumicën dërrmuese të rasteve, sëmundja kalon pa pasoja serioze.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us