Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në Austri, ku u prit nga Presidenti Alexander Van der Bellen. Në takimin e zhvilluar, dy liderët diskutuan mbi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Austrisë, integrimin evropian dhe sfidat rajonale.
Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Austrisë në fusha të ndryshme si ekonomia, arsimi, drejtësia dhe integrimi në BE. Ai nënvizoi përparimin e Shqipërisë në këtë drejtim dhe vuri theksin te objektivi kombëtar i anëtarësimit në vitin 2030.
"Pavarësisht se anëtarësimi do ta marrë kohën e vet, për ne më shumë rëndësi ka procesi, i cili transformon shoqërinë, përmirëson qeverisjen dhe sjell përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët tanë," u shpreh Begaj.
Presidenti shqiptar theksoi rëndësinë e rolit të Austrisë në mbështetjen e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor dhe përpjekjet për afrimin e rajonit me Bashkimin Evropian.
"Ne duhet të mundësojmë që këta interesa strategjike të reflektohen në veprime të përbashkëta për një Shqipëri të zhvilluar, një Shqipëri anëtare të Bashkimit Evropian dhe një Ballkan Perëndimor të sigurt e të integruar," shtoi ai.
Një tjetër temë kyç e diskutimit ishte Kosova, për të cilën Begaj shprehu vlerësim për rolin aktiv të Austrisë në mbështetjen e pavarësisë dhe forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar. Ai gjithashtu e cilësoi mbledhjen e Komunitetit Politik Evropian, që do të zhvillohet më 16 maj në Tiranë, si një moment të rëndësishëm për rajonin dhe një sinjal pozitiv për përshpejtimin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.