Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës apelon të gjithë bashkatdhetarët që udhëtojnë në Kosovë përmes transportit rrugor që gjatë udhëtimit të kenë dokumente të vlefshme.
Përmes një njoftimi zyrtar, MPJD-ja thekson se udhëtimi me dokumente të skaduara nuk lejohet nëpër territoret e disa shteteve, pavarësisht nga praktikat e vendit ku nis udhëtimi.
“Duke iu referuar rasteve të fundit të paraqitura gjatë kalimeve tranzit, veçanërisht nëpër territorin e Italisë, theksojmë nevojën që qytetarët të verifikojnë paraprakisht kërkesat për dokumentacion për secilin vend që kalojnë gjatë udhëtimit të tyre.
Lusim qytetarët që të planifikojnë udhëtimet e tyre me kujdes dhe të informohen për kushtet e kalimit nëpër secilin shtet përmes të cilit udhëtojnë. Në raste pasigurie, ju ftojmë të kontaktoni misionet tona diplomatike dhe konsullore për udhëzime shtesë”, thuhet në njoftim.