POLITIKË
3 minuta leximi
Shefi i OKB-së për të Drejtat e Njeriut bën thirrje thirrje për deeskalim mes tensioneve Izrael-Iran
“Bëj thirrje për respektim të plotë të të drejtës ndërkombëtare nga të dyja palët, në veçanti për mbrojtjen e civilëve”, deklaroi Volker Türk.
Shefi i OKB-së për të Drejtat e Njeriut bën thirrje thirrje për deeskalim mes tensioneve Izrael-Iran
Shefi i OKB-së për të Drejtat e Njeriut bën thirrje thirrje për deeskalim mes tensioneve Izrael-Iran / AA
16 Qershor 2025

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, shprehu të hënën shqetësim të thellë për përshkallëzimin e fundit ushtarak midis Izraelit dhe Iranit, duke kërkuar vetëpërmbajtje dhe rikthim në rrugën e diplomacisë.

“Përshkallëzimi ushtarak midis Izraelit dhe Iranit është jashtëzakonisht shqetësues”, tha Türk teksa paraqiste raportin e tij vjetor në sesionin e 59-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë.

Ai u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira që të angazhohen në “negociata diplomatike urgjente për t’i dhënë fund këtyre sulmeve dhe për të gjetur një rrugëdalje.”

Türk theksoi domosdoshmërinë që të dyja palët të respektojnë të drejtën ndërkombëtare, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e civilëve në zonat e populluara dendur.

“Bëj thirrje për respektim të plotë të të drejtës ndërkombëtare nga të dyja palët, në veçanti për mbrojtjen e civilëve”, deklaroi ai.

Këto deklarata vijnë në një moment tensionesh të shtuara, pas sulmeve ajrore izraelite të premten ndaj objekteve bërthamore dhe raketore në Iran, që u pasuan nga një kundërpërgjigje iraniane me raketa balistike, të cilat shkaktuan viktima dhe dëme materiale në Izrael.

“Vuajtje të papërfytyrueshme” për palestinezët

Shefi i OKB-së për të Drejtat e Njeriut adresoi kritikat më të forta ndaj vuajtjeve që, sipas tij, Izraeli po ua shkakton palestinezëve në Gaza.

“Mjetet dhe metodat e luftës që përdor Izraeli po shkaktojnë vuajtje të tmerrshme, të papranueshme për popullin palestinez në Gaza”, theksoi ai.

Türk e akuzoi Izraelin për “armatim të ushqimit dhe bllokim të ndihmave jetike”, duke kërkuar “hetim të menjëhershëm dhe të paanshëm për sulmet vdekjeprurëse ndaj civilëve të dëshpëruar që përpiqen të arrijnë qendrat e shpërndarjes së ushqimit.”

Ai shprehu gjithashtu shqetësim për retorikën çnjerëzore të përdorur nga zyrtarë të lartë të qeverisë izraelite, duke paralajmëruar se një gjuhë e tillë “përkujton krimet më të rënda të historisë.”

Türk kritikoi gjithashtu kufizimin që Izraeli u bën gazetarëve ndërkombëtarë për të raportuar nga Gaza, duke theksuar se “mospasja e qasjes mediatike ka ndihmuar si forcat izraelite ashtu edhe Hamasin të shmangin transparencën dhe llogaridhënien.”

“Të gjithë ata që kanë ndikim duhet të ushtrojnë presion maksimal ndaj Izraelit dhe Hamasit për t’i dhënë fund këtyre vuajtjeve të padurueshme”, tha ai.

Situata në Bregun Perëndimor dhe zgjidhja politike

Duke iu referuar gjendjes në Bregun Perëndimor të pushtuar, Türk theksoi:
“Nuk kalon ditë pa sulme nga forcat izraelite të sigurisë dhe kolonët, që vrasin, arrestojnë ose zhvendosin me forcë palestinezë.”

Ai e përmbylli fjalën duke theksuar domosdoshmërinë për një zgjidhje politike:
“Vetëm një armëpushim i menjëhershëm që çon drejt zgjidhjes me dy shtete, me Gazën si pjesë të pandashme të një shteti palestinez, mund të sjellë paqe të qëndrueshme.”

Türk bëri thirrje gjithashtu për lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë pengjeve izraelite, si edhe të të gjithë palestinezëve që mbahen të ndaluar në mënyrë arbitrare.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us