Ahmed Falih Warsh Agha, i cili u plagos rëndë dhe humbi krahun e djathtë në sulmin e ushtrisë izraelite në shkollën Dar al-Arkam në qytetin e Gazës, dëshiron ta rifitojë dorën e tij dhe të jetë në gjendje të luajë futboll përsëri.
Ahmedi, 14 vjeç, i cili jeton me familjen e tij në një tendë në Beit Lahiya, u shënjestrua në një sulm ajror në shkollën Dar al-Arqam në qytetin e Gazës, ku ishin strehuar pas urdhrave izraelitë për evakuim.
Tridhjetë e një persona, kryesisht fëmijë, u vranë në sulmin e ushtrisë izraelite ndaj shkollës më 3 prill.
Ahmedi u plagos rëndë nga sulmi ndërsa po luante futboll me shokët e tij në oborrin e shkollës. Një copë shrapneli hyri nëpër krahun e djathtë të Ahmedit, pastaj i goditi barkun dhe i çau zorrët.
Ahmedi, i cili vuan nga kequshqyerja për shkak të keqthithjes në zorrët e tij pas operacionit, nuk mund të hajë mjaftueshëm për shkak të embargos së vendosur nga Izraeli në Gaza dhe po humbet peshë çdo ditë.
- Mendohej se kishte vdekur kur e çuan në spital
Nëna e Ahmedit, Sevsen Warsh Agha, për Anadolu tregoi përjetimet pas sulmit dhe çfarë ndryshoi në jetën e djalit të saj, duke theksuar se pasi u plagos rëndë në sulm u dërgua në Spitalin Baptist El-Ehli.
"Gjendja e djalit tim ishte shumë kritike. Ai u transferua në Spitalin Baptist El-Ehli duke na thënë se kishte vdekur. Kur mjekët e panë, thanë 'ai do të vdesë gjithsesi brenda pak minutash' dhe e morën mënjanë dhe filluan të kujdeseshin për të plagosurit e tjerë. Kur djali im thirri mjekun, mjeku e kuptoi se ai nuk kishte humbur vetëdijen", tha ajo.
Nëna nga Gaza, e cila tha se krahu i djathtë i Ahmedit ishte amputuar pasi një copë shrapneli e kishte shpuar atë, tha se e njëjta copë shrapneli ishte ngulur në barkun e djalit të saj dhe i kishte çarë zorrët.
Sevsen tha se operacioni i djalit të saj zgjati 8 orë dhe ai qëndroi në spital për 10 ditë.