Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se “Forcat Ajrore të Izraelit kanë kontroll të plotë mbi qiellin e Teheranit”, teksa Izraeli ka nisur një valë të re sulmesh mbi Iranin qendror të hënën.
Në deklaratat e dhëna nga baza ajrore Tel Nof në Rehovot, Netanyahu theksoi se operacionet ushtarake po përqendrohen në zemrën e Iranit.
Sipas Kanalit 12 të Izraelit, ushtria po godet dhjetëra objektiva në Iranin qendror, megjithatë nuk janë dhënë detaje të mëtejshme.
Në një deklaratë ushtarake thuhet se janë shënjestruar disa kamionë që dyshohet se transportonin armë, përfshirë edhe hedhës raketash tokë-ajër, gjatë rrugës nga Irani perëndimor drejt Teheranit.
“I kemi goditur kamionët, duke neutralizuar armët dhe hedhësit,” thuhet në deklaratë.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që nga e premtja, kur Izraeli ndërmori sulme të koordinuara ajrore mbi disa objekte ushtarake dhe bërthamore në gjithë Iranin, duke nxitur një kundërpërgjigje nga Teherani.
Autoritetet izraelite deklarojnë se të paktën 24 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur nga sulmet me raketa iraniane që nga e premtja.
Nga ana tjetër, Irani thotë se si pasojë e sulmeve izraelite janë vrarë të paktën 224 persona dhe mbi 1.000 të tjerë janë plagosur.