Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baqaei tha se Irani është gati të rrisë inspektimet për të ofruar më shumë siguri mbi programin e tij bërthamor, por që nuk do ta pranojnë kërkesën e ShBA-së për të ndaluar pasurimin e uraniumit në nivel të ulët.
Duke iu referuar procesit të negociatave me ShBA-në dhe kërkesave të këtij vendi që Irani të ndalojë plotësisht aktivitetet për pasurimin e uraniumit, Baqaei tha: "Ministri (Abbas Araghchi) e ka përmendur qartë çështjen e pasurimit. Pasurimi i uraniumit nuk është diçka që mund ta pezullojmë ose ndalojmë thjesht. Kjo është një teknologji dhe një domosdoshmëri për të siguruar funksionimin e pandërprerë të industrisë bërthamore të Iranit. Është e drejta ligjore e Iranit dhe ne nuk mund të heqim dorë prej saj".
Baqaei tha se ata janë të gatshëm të rrisin inspektimet për të ofruar më shumë siguri në lidhje me programin bërthamor të vendit të tij.
Ai tha se përkundër pretendimeve të presidentit të ShBA-së, Donald Trump, ata nuk e kanë marrë tekstin e një marrëveshjeje me shkrim nga Uashingtoni. Baqaei theksoi se deklaratat publike të bëra nga pala amerikane gjatë negociatave dhe atë që ata thanë në tryezën e negociatave nuk përputhen me njëra-tjetrën.
"Raundi i ardhshëm i negociatave nuk është sqaruar", tha Baqaei cili shtoi se kjo ndodh për shkak të deklaratave të ndryshme që bëhen shpesh nga pala amerikane.
Mundësia e provokimit nga Izraeli për të prishur procesin e negociatave
Baqaei tërhoqi vëmendjen për faktin se Izraeli mund të përpiqet të provokojë për të prishur procesin e negociatave midis Iranit dhe ShBA-së.
"Nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen të përdorë veprime provokuese për të akuzuar Iranin dhe për të gjetur një justifikim për konflikt në rajon", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane.
Mekanizëm që mund të sigurojë kthimin e sanksioneve të OKB-së
Kur u pyet për mundësinë e vendeve evropiane që të përdorin të ashtuquajturin "mekanizmi i mosmarrëveshjes" që mund të rikthejë sanksionet e OKB-së që u hoqën me marrëveshjen bërthamore të nënshkruar me Iranin në vitin 2015, Baqaei tha: "Ne nuk do të lëmë asnjë veprim të padrejtë ose armiqësor pa përgjigje".
"Nuk ka bazë ligjore për ta përdorur këtë sepse programi ynë është plotësisht paqësor. Ne shohim që disa vende evropiane janë këmbëngulëse për këtë çështje. Shpresojmë që vendet evropiane ta rishqyrtojnë rrugën që po ndjekin dhe nuk do ta keqpërdorin këtë mekanizëm, i cili është një shpatë me dy tehe".
Vendimi për shpërbërjen dhe çarmatosjen e organizatës terroriste PKK
Në fjalën e tij, Baqaei foli mbi vendimin për shpërbërjen e organizatës terroriste PKK.
"Ne mirëpresim çarmatosjen e PKK-së dhe shpresojmë se kjo do të çojë në stabilitet dhe siguri në rajon", tha ai.
Dështimi i ShBA-së për të siguruar që ndihmat humanitare të hyjnë në Gaza
Baqaei përmendi faktin se pavarësisht premtimeve të administratës së Trumpit për ta detyruar Izraelin të lejojë ndihmën humanitare në rajon dy ditë pas lirimit të Edan Alexander, një ushtar izraelit dhe qytetar amerikan i mbajtur rob nga Hamasi në Gaza, kjo nuk ndodhi.
"Ky është një tjetër tregues se premtimeve të bëra nga pala amerikane nuk mund t'u besohet. Menjëherë pasi Hamasi tregoi vullnet të mirë, sulmet e regjimit izraelit u shtuan dhe 200 njerëz të pafajshëm u vranë. Kjo situatë tregon realitetet e rajonit tonë dhe se pala amerikane nuk i ka përmbushur premtimet e saj në praktikë", shtoi ai.