Türkiye dënoi të hënën sulmin e një ministri të ekstremit të djathtë izraelit në Xhaminë Al-Aksa.
Në një deklaratë për shtyp, Ministria e Jashtme turke tha: “Ne dënojmë bastisjen e sotme në Xhaminë Al-Aksa nga një anëtar i qeverisë izraelite, ngritjen e flamurit të shtetit pushtues nga një anëtar i Parlamentit në Xhaminë Al-Aksa dhe veprimet provokuese të kryera nga kolonët ekstremistë gjatë një marshimi në Kuds.”
Deklarata tha se veprime të tilla janë “një manifestim i politikave të vazhdueshme të Izraelit për gjenocid dhe zhvendosje të detyruar kundër popullit palestinez” dhe se ato përfaqësojnë përpjekjen izraelite “për ta ndryshuar identitetin historik dhe demografik të territoreve të pushtuara palestineze dhe për t’i aneksuar ato”.
Ministria tha se “veprime të tilla nga qeveria Netanyahu nuk do ta ndryshojnë kurrë statusin historik dhe ligjor të Xhamisë Al-Aksa.”
Më shumë se 1.500 kolonë të paligjshëm kanë hyrë me forcë në kompleksin e xhamisë që nga mëngjesi i hershëm nën mbrojtjen e policisë për ta shënuar pushtimin e Kudsit Lindor, me shumë prej tyre që kryejnë rituale provokuese në oborret e xhamisë.
Më parë, Ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir sulmoi kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar të hënën për ta shënuar pushtimin izraelit të qytetit, duke shkaktuar një valë dënimesh.
"Në fakt, ka një numër të madh hebrenjsh që mblidhen këtu dhe është një gëzim ta shohësh këtë," tha Ben-Gvir në një video të tij brenda kompleksit të xhamisë.
"Sot, hebrenjtë mund të luten dhe të falen këtu. I falënderojmë Zotin për këtë," tha ai.
Ministri ekstremist u shoqërua në turneun e tij nga disa ministra izraelitë, përfshirë Ministrin e Negevit, Galilesë dhe Rezistencës Kombëtare Yitzhak Wasserlauf dhe anëtarin e Knessetit Yitzhak Kroizer.
Që nga shpërthimi i luftës në Gaza më 7 tetor 2023, autoritetet izraelite kanë vendosur masa të rrepta që kufizojnë qasjen e palestinezëve nga Bregu Perëndimor i pushtuar në Kudsin Lindor.
Palestinezët i konsiderojnë këto kufizime si pjesë të përpjekjeve më të gjera të Izraelit për ta judaizuar Kudsin Lindor, ku ndodhet Xhamia Al-Aksa, dhe për ta fshirë identitetin e tij arab dhe islamik.