Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi të premten se Kievi ka marrë zyrtarisht një draft të ri marrëveshjeje nga Shtetet e Bashkuara për një bashkëpunim në fushën e mineraleve kritike. Ai tha se ky dokument ndryshon ndjeshëm nga kuadri i propozuar më herët, sipas agjencisë së lajmeve Interfax-Ukraina.
Duke folur në një konferencë për shtyp, Zelenskyy theksoi se drafti i ri, i dorëzuar zyrtarisht në zyrën e tij, do të krahasohet me propozimet e mëparshme që i janë prezantuar zëvendëskryeministres Yuliia Svyrydenko gjatë bisedimeve dypalëshe me zyrtarë amerikanë.
Ai hodhi poshtë fuqishëm idenë që ndihma ushtarake e ShBA-së për Ukrainën të konsiderohet si kredi. “Jemi mirënjohës për mbështetjen, por kjo nuk është kredi dhe nuk do të lejojmë të trajtohet si e tillë,” tha ai.
Zelenskyy njoftoi gjithashtu se Ukraina po përgatit një takim të nivelit të lartë me përfaqësues ushtarakë nga vende të gatshme të shqyrtojnë dërgimin e kontingjenteve në Ukrainë. Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe vetë Ukraina kanë konfirmuar pjesëmarrjen në diskutimet e planifikuara me format të mbyllur.
Ai shtoi se Kievi ka arritur marrëveshje me disa partnerë evropianë për ta zgjeruar qasjen në të dhënat e inteligjencës, përfshirë sistemet satelitore dhe teknologjinë, si dhe për t’i hapur depot e municioneve për forcat ukrainase.
Zelenskyy tha se paketa të reja ndihme ushtarake do të shpallen në takimin e ardhshëm në formatin e Ramstein-it në muajin prill, si rezultat i koordinimit mes Ukrainës dhe aleatëve të saj.
Ai theksoi se ShBA planifikon të zhvillojë konsultime me Arabinë Saudite, Türkiyen dhe vendet evropiane për krijimin e mekanizmave ndërkombëtarë të monitorimit në lidhje me luftën.
Presidenti ukrainas shprehu skepticizëm për mundësinë që Arabia Saudite ta mbikëqyrë infrastrukturën energjetike të Ukrainës, por sugjeroi se Türkiye mund të luajë rol në sigurinë e Detit të Zi.
Zelenskyy tha se forcat ukrainase po veprojnë për ta zvogëluar përqendrimin e trupave ruse në jug të rajonit Kursk të Rusisë, për të parandaluar një ofensivë të mundshme drejt rajonit të Sumyt.
Sa u përket negociatave të mundshme me Moskën, ai tha se Ukraina mund ta shqyrtojë dialogun me përfaqësues rusë që ofrojnë një plan të vërtetë për përfundimin e luftës por përjashtoi çdo bisedë me presidentin Vlladimir Putin.