RAJONI
5 minuta leximi
Anëtarët e iniciativës "Gjykata për Gazën" njoftojnë botën me "krimet dhe gjenocidin izraelit"
"Shumica e vendeve në Perëndim kanë heshtur. Në fakt ato nuk kanë heshtur por e kanë mbështetur Izraelin me zë shumë të lartë", tha anëtarja e iniciativës "Gjykata për Gazën", Penny Green.
Anëtarët e iniciativës "Gjykata për Gazën" njoftojnë botën me "krimet dhe gjenocidin izraelit"
Anëtarët e iniciativës "Gjykata për Gazën" njoftojnë botën me "krimet dhe gjenocidin izraelit" / AA
28 Maj 2025

Anëtarja e iniciativës "Gjykata për Gazën", prof. dr. Penny Green e cila punon në fushën e ligjit dhe globalizimit në Universitetin "Queen Mary" të Londrës tha se "shumica e vendeve në Perëndim kanë heshtur, në fakt ato nuk kanë heshtur, ato e kanë mbështetur Izraelin me zë shumë të lartë".

Në seancën e parë publike të "Gjykatës për Gazën", e cili u themelua për të hetuar aspektet ligjore, politike dhe etike të ngjarjeve në Gaza nën sulmet izraelite, akademikë, intelektualë, mbrojtës të të drejtave të njeriut dhe përfaqësues të medias dhe organizatave të shoqërisë civile po e njoftojnë botën me krimet dhe gjenocidin e kryer kundër popullit palestinez në Gazës në takimet e mbajtura në kryeqytetin e Bosnjë dhe Hercegovinës, Sarajevë.

Ekspozimi i krimeve të kryera nga Izraeli

Prof. dr. Green, anëtare e iniciativës së "Gjykata për Gazën" tha për gazetarin e AA-së se ata janë dëshmitarë të fazës shkatërruese të gjenocidit në Gaza.

Ajo tha se njerëz me ndërgjegje janë mbledhur në kuadër të nismës "Gjykata për Gazën".

"Ne jemi këtu për të dëshmuar, për të ekspozuar krimet e kryera nga Izraeli. Në këtë kontekst është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne të lëmë regjistrime dhe trashëgimi historike. Kjo është arsyeja pse kemi sjellë këtu shumë dëshmitarë ekspertë, akademikë, gazetarë; njerëz që kanë vëzhguar, shkruar dhe menduar për këtë gjenocid", tha Green duke shtuar:

"Në të njëjtën kohë këtu ka edhe shumë palestinezë dhe këta njerëz mund ta përshkruajnë drejtpërdrejt natyrën e gjenocidit. Qëllimi ynë është të regjistrojmë përgjithmonë formën dhe strukturën e këtij gjenocidi. Në të njëjtën kohë, ne po tregojmë fuqinë e shoqërisë civile këtu sepse kjo është një gjykatë popullore".

Green tha se vende si ShBA-ja, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania mbështesin Izraelin në gjenocidin që ka kryer dhe vuri në dukje se edhe ata po punojnë për ta emërtuar këtë realitet.

Pasi tha se shpresojnë që iniciativa “Gjykata për Gazën" do të ndalojë krimet e luftës të kryera kundër palestinezëve, Green tha se duan që iniciativa të sjellë rezultat konkret në proceset ligjore.

Ajo potencoi se ShBA-ja mund t'i japë fund gjenocidit nëse dëshiron. "Nëse (presidenti i ShBA-së, Donald) Trump do të kishte tërhequr fondet, (ish-presidenti Joe) Biden do të kishte ndaluar fondet e dhëna Izraelit, ky gjenocid nuk do të kishte ndodhur. Izraeli po mbahet në këmbë nga Perëndimi, veçanërisht ShBA-ja. Afrika e Jugut ngriti padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe shumë vende e mbështesin atë. Vende si Irlanda dhe Spanja e mbështesin atë. Shumica e vendeve në Perëndim heshtën. Në fakt ato nuk heshtën, ata e mbështetën Izraelin shumë me zë të lartë. Ata na sulmuan neve që kundërshtuam gjenocidin dhe mbrojtëm lirinë e Palestinës", theksoi Green.

Më tej Green tha se disa vende perëndimore duan të bëjnë të heshtnin ata që mbrojnë Palestinën dhe Gazën me dhunë policore dhe shtypje shtetërore. "Me fjalë të tjera, ata nuk heshtën, ata mbrojtën me zë të lartë Izraelin, bombardimet, urinë dhe rrethimin. Ndërsa miliona njerëz të zakonshëm marshojnë për të mbrojtur palestinezët, qeveritë e tyre mbështesin sulmet e Izraelit dhe ShBA-së. Mendoj se jemi në një botë të ndarë dhe çështja palestineze shërben si një provë për të ardhmen e njerëzimit", u shpreh ajo.

Njerëzimi sot ka nevojë për këtë gjykatë popullore

Koordinatori i projektit "Gjykata për Gazën" dhe lektor në Universitetin e Istanbulit, Ahmet Köroğlu tha se ata kanë realizuar seancat e para publike dëgjimore dhe kanë mbajtur gjyqet e para.

Duke vënë në dukje se e ndanë procesin në tre borde, Köroğlu tha "Këto e shqyrtojnë gjenocidin në Gaza në aspektin e ligjit ndërkombëtar, politikës, etikës dhe historisë, sipas funksionimit të përgjithshëm të gjykatës".

Ai shtoi se të gjithë në procesin e "Gjykatës për Gazën" janë bashkuar për qëllime humanitare, se ata kanë përjetuar vështirësi gjatë procesit dhe se ata janë në gjendje të bëjnë diçka falë njerëzve të guximshëm.

Gaza, vendi që është bërë varri i ligjit ndërkombëtar

Mehmet Karlı, një avokat që punon në fushën e ligjit ndërkombëtar dhe anëtar i gjykatës, tha se Sarajeva është një vend domethënës për të pritur takimin sepse krimi i fundit i gjenocidit në Evropë u krye në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Ai tha iniciativa "Gjykata për Gazën" u iniciua sepse krimet e Izraelit u injoruan.

"Ne jemi këtu për të sjellë në vëmendjen e opinionit publik botëror atë që shtetet e mëdha perëndimore, ndërsa nga njëra anë flasin me të drejtë për atë që po ndodh në Ukrainë dhe nga ana tjetër, nuk duan ta shohin dhe injorojnë, dhe nuk flasin me të drejtë për shkeljet e të drejtave të njeriut që po ndodhin në anën tjetër të botës. Besoj se kjo duhet të bëhet si përgjegjësi profesionale dhe detyrim nga respekti im për ligjin ndërkombëtar", tha Karlı.

Ai theksoi se nuk ka autoritet të vetëm për ligjin ndërkombëtar. Karlı potencon se kur disa shtete nuk i përmbushin detyrimet e tyre derisa në Gaza po ndodhin gjenocid dhe masakra të hapura, përgjegjësia bie mbi njerëzit, akademikët, intelektualët, mendimtarët dhe shkrimtarët.

Sipas tij, duhet të ndërmerren veprime në lidhje me ligjin ndërkombëtar. "Vendi që është bërë varri i ligjit ndërkombëtar. Jo vetëm që dhjetëra mijëra njerëz po vriten atje, por edhe fëmijët po vdesin nga uria, njerëzit po vdesin nga uria sepse po lihen pa ngrënë. Në të njëjtën kohë, ne po varrosim imagjinatën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ligjit ndërkombëtar atje", tha Karlı.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us