Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ushtria ruse ka kryer sulmin më intensiv me dronë ndaj vendit të tij që nga fillimi i luftës.
Në një deklaratë me shkrim në llogarinë e tij në Telegram, Zelensky tha se rusët gjatë natës kanë kryer sulme me raketa dhe dronë në rajone të ndryshme të Ukrainës.
Ai theksoi se në sulme u përdorën 9 raketa dhe 355 dronë. "Ushtria ruse ka përdorur numrin më të madh të mjeteve ajrore pa pilot kundër qyteteve dhe vendbanimeve tona që nga fillimi i luftës në shkallë të gjerë", tha Zelensky.
Zelensky tha se në shënjestër ishte infrastruktura civile, ndërsa shtoi se "Fatkeqësisht, ka të plagosur dhe se kanë ndodhur dëme në infrastrukturën civile".
Presidenti ukrainas përsëriti thirrjen për shtimin e sanksioneve kundër Rusisë, duke shtuar se rusët kanë vazhduar të kryejnë sulme ajrore intensive gjatë tre netëve të fundit.
"Në këtë mënyrë Putini tregon sa shumë e urren një botë që bën më shumë përpjekje për të 'dialoguar' sesa të ushtrojë presion ndaj tij", tha Zelensky.
Duke i ftuar aleatët të ushtrojnë presion mbi Rusinë, Zelensky potencoi se "Rusia duhet ta përfundojë vetë këtë luftë".