Parlamenti i Malit të Zi miratoi sot një vendim për të dërguar anëtarë të Ushtrisë së Malit të Zi (AVCG) në misionin e ndihmës ushtarake të Bashkimit Evropian në mbështetje të Ukrainës (EUMAM UA).
Për vendimin 49 deputetë votuan pro ndërsa tre abstenuan.
Ministri malazez i Mbrojtjes, Dragan Krapoviq në seancën e Parlamentit të mërkurën tha se misioni EUMAM ofron trajnime për anëtarët e Forcave të Armatosura të Ukrainës në mbrojtjen kimike-bërthamore, aspektet mjekësore dhe çminimin si dhe trajnime operacionale.
"Sipas të dhënave në dispozicion, deri më tani në këto misione janë trajnuar 75 mijë anëtarë të Forcave të Armatosura të Ukrainës", theksoi Krapoviq.
Ai shtoi se 24 shtete anëtare të BE-së kanë ofruar trajnime dhe fuqi punëtore për zbatimin e saj.