Bayraktar KIZILELMA, avioni i parë luftarak pa pilot i Türkiyes i zhvilluar nga kompania Baykar, ka përfunduar me sukses testin AB-Launched Maneuver System Identification, një hap thelbësor në programin e tij të testimit.
Në një deklaratë zyrtare, Baykar bëri të ditur se programi i testimit për Bayraktar KIZILELMA po vazhdon sipas planit.
Fluturimi testues, i zhvilluar në Qendrën e Trajnimit dhe Testimit të Fluturimeve AKINCI në provincën perëndimore të Türkiyes, Tekirdag, përfshiu prototipin e prodhimit të avionit, të identifikuar si PT3 me numrin e bishtit TC-OZB3, i cili kreu me saktësi aktivitete të identifikimit të manovrave komplekse.
Kompania theksoi se përvojat dhe të dhënat e grumbulluara nga prototipet e mëparshme kanë çuar në përmirësime të rëndësishme në modelin e prodhimit të avionit, përfshirë përforcime strukturore dhe përditësime në arkitekturën avionike.
Avioni gjithashtu përfundoi fluturimin duke përdorur një motor me ndezje pas djegies (afterburner), i cili është integruar me sukses në sistem.
I pajisur me një motor të fuqishëm të ri, Bayraktar KIZILELMA pritet të arrijë shpejtësi afër supersonike duke ruajtur manovrueshmëri të lartë në shpejtësi të mëdha.
Për më tepër, ai do të jetë i pajisur me radar AESA, që do t’i mundësojë vetëdije të avancuar situative dhe realizimin e misioneve të ndërlikuara.
Arritje e rëndësishme në fushën e aviacionit
Baykar nisi projektin Bayraktar KIZILELMA në vitin 2021, duke e financuar plotësisht me burime private. Avioni doli nga linja e prodhimit më 14 nëntor 2022 dhe u transferua në Qendrën e Trajnimit dhe Testimit të Fluturimeve AKINCI në distriktin Çorlu të Tekirdagut.
Pas përfundimit të testimeve në tokë në një kohë rekord, KIZILELMA realizoi fluturimin e tij të parë më 14 dhjetor 2022, duke arritur në qiell brenda një viti nga fillimi i zhvillimit.
Baykar, e cila ka financuar të gjitha projektet e saj përmes burimeve private, ka mbetur një nga liderët në eksportet e mbrojtjes.
Që nga fillimi i programit të saj të kërkimit dhe zhvillimit të UAV-ve në vitin 2003, 83% e të ardhurave të kompanisë kanë ardhur nga eksportet. Në vitin 2023, kompania realizoi 1.8 miliardë dollarë shitje ndërkombëtare, duke u renditur në mesin e 10 kompanive më të mëdha eksportuese të Türkiye-s në të gjitha sektorët.
Si eksportuesi më i madh në botë i mjeteve ajrore pa pilot, Baykar e vazhdoi suksesin e saj global në vitin 2024, duke siguruar 90% të të ardhurave të saj nga shitjet ndërkombëtare.
Ajo ka nënshkruar marrëveshje eksporti për Bayraktar TB2 me 34 shtete, dhe për Bayraktar AKINCI me 11 vende.