Ambasada turke në Uashington, DC, njoftoi të mërkurën se po e monitoron nga afër ndalimin e Rumeysa Ozturk, një studente turke e doktoraturës në Universitetin Tufts dhe përfituese e bursës Fulbright, e cila u arrestua nga autoritetet amerikane të imigracionit.
Në një deklaratë, ambasada tha se ka kontaktuar Departamentin Amerikan të Shtetit, Shërbimin e Imigracionit dhe Doganave (ICE) dhe autoritetet e tjera për rastin e Ozturk.
“Situata e shtetases sonë, Rumeysa Oztürk, e cila u ndalua në Boston, ShBA, po monitorohet nga afër dhe familja e saj informohet rregullisht”, thuhet në deklaratë. “Po bëhen të gjitha përpjekjet për të ofruar shërbimet konsullore të nevojshme dhe ndihmë ligjore për të mbrojtur të drejtat e saj.”
Ozturk u arrestua nga ICE të martën në mbrëmje pranë shtëpisë së saj në Somerville, Massachusetts, teksa po shkonte në një darkë iftari për të çelur agjërimin gjatë muajit të Ramazanit, sipas avokates së saj, Mahsa Khanbabai.
Ajo u mor në paraburgim nga agjentë federalë të maskuar në mes të ditës, me autoritetet që pretenduan se ajo kishte marrë pjesë në aktivitete mbështetëse për grupin palestinez Hamas – një akuzë që familja dhe mbështetësit e saj e mohojnë kategorikisht.
Sipas avokates së saj, ndaj Ozturk nuk është ngritur asnjë akuzë. Një video e bërë virale kap momentin e ndalimit të saj, duke treguar individë të maskuar që e prangosin, ndonëse ajo nuk reziston.
Ndalimi i saj vjen pas një fushate nga Canary Mission, një faqe pro Izraelit që përfshin në listë të zezë studentët dhe aktivistët propalestinezë. Në vitin 2024, Ozturk ishte bashkautore e një opinioni në gazetën e Universitetit Tufts, The Tufts Daily, duke i bërë thirrje shkollës të njohë atë që ajo e përshkroi si gjenocid ndaj palestinezëve dhe të tërhiqet nga kompanitë me lidhje me Izraelin.
Sipas faqes ICE Locator, Ozturk po mbahet në një qendër paraburgimi në Luiziana.