Sot është inauguruar zyrtarisht sistemi “One Stop Shop” në pikën kufitare Glloboçicë–Jazhincë, në mes të Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ky projekt sipas autoriteteve synon të lehtësojë qarkullimin kufitar për qytetarët dhe bizneset, duke bashkuar në një vend të vetëm procedurat doganore dhe kufitare të të dyja vendeve.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, theksoi rëndësinë e kësaj iniciative për përmirësimin e jetës së qytetarëve lokalë dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
“Besoj se kjo do të sjellë të mira për qytetarët e të dyja vendeve, posaçërisht për banorët e zonës kufitare Glloboçicë–Jazhincë. Por, njëkohësisht vërejmë bashkëpunim të mirë në mes të dy policive për t'i parandaluar keqpërdorimet ose shkeljet ligjore sa u takon kufijve,” deklaroi Sveçla.
Ndërsa homologu i tij nga Maqedonia e Veriut, ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, bëri të ditur se ky model do të zgjerohet edhe në kufijtë e tjerë të rajonit.
“Projektin e zbatimit të 'One Stop Shop' do ta vazhdojmë edhe me Shqipërinë dhe Serbinë. Në të gjithë kufijtë ku është e mundur do ta zbatojmë në afat sa më të shkurtër, që qytetarët e Ballkanit të mund të komunikojnë, të lëvizin dhe t’i realizojnë të drejtat e tyre sa më shpejt, brenda kufijve tanë shtetërorë.”
Kjo pikë kufitare është e dyta që funksionon sipas modelit “One Stop Shop” në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, pas zbatimit të suksesshëm të projektit në pikën kufitare “Bllacë-Hani i Elezit” pak ditë më parë.