Qëllimi i ofensivës së rinovuar izraelite është pushtimi i plotë i Rripit të Gazës, deklaroi të hënën ministri izraelit i Kulturës, Miki Zohar.
"Ky veprim vë në rrezik ata që janë ende në robëri, por nuk ka zgjidhje tjetër", tha Zohar, anëtar i partisë Likud të kryeministrit Benjamin Netanyahu, për televizionin shtetëror KAN.
Ministri izraelit pretendoi se ofensiva aktuale ushtarake do ta detyrojë grupin palestinez Hamas të lirojë robërit izraelitë dhe të largohet në mërgim jashtë Gazës.
Zyra e kryeministrit Netanyahu njoftoi të hënën në mëngjes se Kabineti i Sigurisë së Izraelit e ka miratuar unanimisht planin për zgjerimin e ofensivës ushtarake në Gaza dhe pushtimin e territorit brenda enklavës.
Vlerësimet izraelite sugjerojnë se në Gaza ndodhen ende 59 robër, prej të cilëve besohet se 24 janë gjallë. Nga ana tjetër, më shumë se 9.500 palestinezë mbahen të burgosur në Izrael në kushte të vështira, përfshirë raportime për tortura, urinë dhe neglizhencë mjekësore, sipas organizatave palestineze dhe izraelite për të drejtat e njeriut.
Më shumë se 52.500 palestinezë janë vrarë në Gaza gjatë ofensivës brutale izraelite që nga tetori 2023, shumica gra dhe fëmijë.
Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhërarresti për Netanyahun dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli po ashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për fushatën e tij ushtarake kundër enklavës.