Italia në aspektin diplomatik po punon për stabilitetin e Bosnjës e Hercegovinës dhe integritetin e saj territorial. “U bëjmë thirrje të gjithëve për dialog pa tensione, që të kënaqen të gjitha palët në një vend që shpresojmë ta shohim së shpejti në Bashkimin Evropian", deklaroi ministri italian i punëve të jashtme Antonio Tajani gjatë qëndrimin për vizitë zyrtare në Kroaci.
Ministri kroat i punëve të jashtme dhe çështjeve evropiane Gordan Gërliq Radman u takua me ministrin e jashtëm të Italisë, Antonio Tajani.
Dy ministrat diskutuan për temat aktuale politike: Ukrainën, Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut, Mesdheun dhe Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë te Bosnjë e Hercegovina.
Tajani përmendi praninë e ushtarëve italianë në BeH, "të cilët kontribuojnë në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në një vend që gjithmonë kemi dashur ta shohim si anëtare të BE-së". Ai shtoi se përmes përpjekjeve diplomatike duhet të zbuten tensionet në rritje në BeH.
I pyetur nga gazetarët nëse BeH-ja mund t’i zgjidhë vetë tensionet e brendshme apo nëse është e nevojshme ndihma e BE-së, ministri kroat Gërliq-Radman shprehu shqetësimin dhe përsëriti thirrjen për deeskalim dhe respektim të institucioneve të BeH-së.
"Kroacia e njeh sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin e BeH-së dhe të gjitha institucioneve të saj. Është e rëndësishme që liderët politikë të BeH-së, të cilët kanë përgjegjësinë më të madhe, të ulen dhe të bisedojnë për të ardhmen politike të vendit dhe për rrugën e saj evropiane. Kroacia fuqimisht përkrah dhe do ta përkrahë më tej barazinë e popullit kroat, nevojën për ndryshimin e ligjit zgjedhor – që është edhe kriter i BE-së – për t’i eliminuar diskriminimet në procesin zgjedhor, pasi kroatët po mbivotohen dhe nuk janë në gjendje t'i zgjedhin përfaqësuesit e tyre, veçanërisht në Presidencën treanëtarëshe", deklaroi Gërliq Radman.
Tajani theksoi se “Italia diplomatikisht po punon për stabilitetin dhe integritetin territorial të BeH-së”.
“Ftojmë të gjitha palët për dialog pa tensione, në mënyrë që të përmbushen interesat e të gjithëve në një vend që shpresojmë ta shohim së shpejti në BE.”
Tajani pret që Merz ta marrë mandatin në Bundestag
Kryediplomati italian komentoi situatën politike në Gjermani, duke thënë se pret që qeveria e udhëhequr nga kancelari Merz ta marrë mandatin dhe se Gjermania ka nevojë për një qeveri stabile.
“Ne jemi vende anëtare të NATO-s që duhet të investojnë më shumë në siguri dhe mbrojtje. Italia tashmë ka arritur nivelin 2% të PBB-së për shpenzimet e mbrojtjes dhe do të bëjmë gjithçka për ta forcuar shtyllën e dytë të aleancës së NATO-s,” tha Tajani.
Temë diskutimi ishin edhe migrimet ilegale përmes korridorit të Mesdheut dhe atij të Ballkanit Perëndimor.
“Detyra jonë është t’i mbrojmë kufijtë, veçanërisht kur bëhet fjalë për kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian,” theksoi ministri italian.
Sot po mbahet edhe Forumi Ekonomik Kroaci-Itali ku marrin pjesë mbi 80 kompani kroate dhe më shumë se 60 kompani italiane, organizuar nga Dhoma Ekonomike e Kroacisë. Vitin e kaluar, shkëmbimi ekonomik mes Kroacisë dhe Italisë arriti 8,4 miliardë euro dhe synohet të arrijë në 10 miliardë në vitin ose dy vitet e ardhshme.
Tajani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik për shkak të paqartësive në tregtinë globale, duke përmendur si faktorë pengues luftën aktuale tregtare dhe doganore, të cilën e konsideroi të dëmshme për importuesit dhe eksportuesit.
Një nga temat ishte edhe ndërtimi i një korridori hekurudhor nga Beogradi, përmes Zagrebit, deri në Triestë, që do të kishte për qëllim forcimin e ekonomive.
Tajani theksoi rëndësinë e ruajtjes së tregut të lirë evropian dhe shprehu shpresën se një tregti e hapur e BE-së me ShBA-në dhe Kanadanë në të ardhmen do të kontribuojë në zhvillimin e këtyre ekonomive.
Ministri italian u takua gjithashtu me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq.