Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dhënë një mesazh me rastin e 12 qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës.
"Në këtë ditë, 26 vjet më parë, mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa: 50 mijë ushtarë të NATO-s hynë në vendin tonë të stërvuajtur duke kontribuar në çlirimin e një populli që ishte shtypur me shekuj, e mbi një milion shqiptarë u kthyen në shtëpitë e tyre", shkroi Osmani.
Ajo tha se luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ushtarët e NATO-s e kthyen tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë, ku në atë ditë historike, ata sollën dritë pas një errësire të gjatë dhe e bënë lirinë realitet.
"Pavarësisht përpjekjeve të armiqve të Kosovës për ta ndryshuar historinë, një histori e shkruar me gjak nuk mund të ndryshohet e as fshihet nga gënjeshtra të shkruara me laps", shkroi Osmani.
Ajo tutje tha se Kosova është e lirë, e pavarur, demokratike dhe e përjetshme "sepse përjetësinë ia dhanë dëshmorët e martirët e lirisë".
Kosova u çlirua përfundimisht nga Serbia në qershor të vitit 1999.
Në qershor të vitit 1999 në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s, si dhe administrata përkohshme e Kombeve të Bashkuara. Kjo u bë pas 78 ditë bombardimesh të NATO-s në, udhëhequr nga ShBA-ja, kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë, Serbi e Mal të Zi.