Borussia Dortmund e mposhti Barcelonën 3:1, ndërsa Aston Villa ishte më e mirë se PSG me rezultat 3:2 në ndeshjet kthyese të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve të UEFA-s, por për shkak të avantazhit nga ndeshjet e para, në gjysmëfinale u kualifikuan Barcelona dhe PSG.
PSG udhëtoi në “Villa Park” në Birmingham me avantazh prej 3:1 nga ndeshja e parë dhe shënoi dy herë brenda 20 minutave të para. Dukej se parizienët e kishin të sigurt kualifikimin, por skuadra nga Birminghami reagoi fuqishëm, përmbysi rezultatin në 3:2 dhe iu afrua shumë barazimit në rezultat të përgjithshëm.
Për PSG shënuan Achraf Hakimi dhe Nuno Mendes, ndërsa për Aston Villën realizuan Youri Tielemans, John McGinn dhe Ezri Konsa. Aston Villës i duhej edhe një gol për të barazuar rezultatin total, por PSG arriti të mbrohet dhe të sigurojë vendin në gjysmëfinale.
Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes, Barcelona udhëtoi në Dortmund me një epërsi të madhe prej 4:0 nga ndeshja e parë. Borussia shënoi dy herë me anë të Serhou Guirassy dhe krijoi shpresa për një përmbysje të madhe, por këto u shuan nga autogoli i Ramy Bensebaini në fillim të pjesës së dytë.
Guirassy, lojtari më i mirë i ndeshjes, shënoi edhe një herë për 3:1, por ky rezultat i shërbeu vetëm për një lamtumirë të ndershme, pasi Barcelona u kualifikua më tej falë fitores bindëse në ndeshjen e parë.
Sonte zhvillohen ndeshjet kthyese të çerekfinaleve të tjera: Inter - Bayern dhe Real Madrid - Arsenal.