Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se është duke u kryer inventarizimi i plotë i dëmeve të shkaktuara nga zjarret që kanë përfshirë disa zona të vendit dhe se çdo familje e prekur do të kompensohet.
Sipas tij, deri tani janë evidentuar 207 shtëpi të dëmtuara, ndër të cilat 40 janë shkatërruar plotësisht, duke lënë pa strehë familjet që banonin aty.
Rama, duke cilësuar se 72 orët e fundit ishin tejet të vështira për shkak të zjarreve masive, shprehu ngushëllimet e tij për familjet e prekura.
Kreu i qeverisë tha se do t’i sigurojë “të gjithë qoftë familjet që kanë humbur shtëpinë plotësisht apo kanë pësuar dëmtime në shtëpinë e tyre nga zjarri po bëjmë sipas protokollit të situatës edhe me autoritetet përkatëse inventarizimin e plotë të këtyre dëmeve dhe pa diskutim dhe siç ka ndodhur në të shkuarën do të ndodhë përsëri”.
Ai shtoi se deri tani janë regjistruar edhe 3 619 krerë bagëti të humbur nga zjarret dhe se të gjitha dëmet, qofshin materiale apo bagëti, do të kompensohen “një për një, pa asnjë diskutim”. Procesi i vlerësimit të dëmeve është ende në vazhdim në bashkëpunim me autoritetet përkatëse.
Rama falënderoi forcat e angazhuara në operacionet e shuarjes së zjarreve, duke veçuar trupat zjarrfikëse për përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre. Ai bëri të ditur se në operacione kanë marrë pjesë gjithsej 10 249 efektivë të strukturave të ndryshme, secili me rolin e vet sipas protokollit të emergjencës.