Të paktën katër persona u vranë dhe pesë të tjerë u plagosën të enjten në një shpërthim në qytetin veriperëndimor të Sirisë, Idlib, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.
Mediat lokale njoftuan se shpërthimi ndodhi në një depo armësh në periferinë perëndimore të qytetit dhe se raportet fillestare tregojnë se shpërthimi u shkaktua nga eksplodimi i municioneve.
Mbrojtja Civile Siriane, e njohur si "Helmetat e Bardha", konfirmoi viktimat dhe se ekipet e saj nxituan drejt vendngjarjes pas raporteve të pakonfirmuara për njerëz të bllokuar nën rrënojat e ndërtesës së shkatërruar.
Në një incident të ngjashëm më 24 korrik, shtatë persona u vranë dhe më shumë se 100 të tjerë u plagosën kur një depo municionesh shpërtheu pranë qytetit Maarat Misrin në Idlib. Ministria e Brendshme e Sirisë në atë kohë njoftoi nisjen e një hetimi urgjent për shpërthimin.