Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, u paraqit të mërkurën në një gjykatë spanjolle në Madrid, ku nisi gjyqi i tij për evazion fiskal.
Prokurorët spanjollë e kanë akuzuar trajnerin e famshëm italian për fshehje të një milion eurove gjatë viteve 2014 dhe 2015. Ata kërkojnë një dënim me burg deri në katër vjet e nëntë muaj për dy akuza të mashtrimit fiskal. Në maj të vitit të kaluar, prokurorët e akuzuan Ancelottin për fshehjen e informacionit mbi të ardhurat e tij reale.
Ancelotti i ka mohuar akuzat.
Strategu italian 65-vjeçar është një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e futbollit. Ai ka në koleksionin e tij një rekord prej pesë titujsh të Ligës së Kampionëve, tre me Real Madridin dhe dy me AC Milanin. Gjithashtu, është i vetmi trajner që ka fituar tituj kampionati në Angli, Spanjë, Itali, Gjermani dhe Francë.
Ancelotti drejtoi Real Madridin nga viti 2013 deri në 2015, ndërsa u rikthye në stolin e "Los Blancos" në vitin 2021.