Në Kuvendin e Kosovës ka dështuar edhe përpjekja e dytë që deputetja Albulena Haxhiu, si e propozuara e partisë më të madhe Lëvizjes Vetëvendosje, t’i marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare, pas çka seanca është shtyrë për 48 orë.
Nga 112 deputetë të pranishëm në sallë kur u votua Haxhiu, 57 deputetë ishin pro, 19 kundër dhe 3 abstenime.
Para votimit, ish-kryetari i Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, u bëri thirrje gjithë deputetëve që ta votojnë Haxhiun si kryeparlamentare dhe të mos bëhen pjesë e bllokimit të themelimit të institucioneve.
Edhe në përpjekjen e parë, pro Haxhiut për kryeparlamentare votuan 57 deputetë, 20 kundër dhe 3 abstenime.
Kryesuesi i seancës, deputeti më i vjetër në sallë, Avni Dehari, tha se seanca shtyhet për 48 orë dhe ajo do të mbahet të hënën nga ora 3 e pasditës.
Partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka të drejtën e parë për formimin e qeverisë së re, ka fituar 48 ulëse në Kuvend, ndërsa asaj i duhet bashkëpunimi edhe me deputetë nga partitë tjera për të arritur në 61 vota, aq sa duhen për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.
Pas emërimit të kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve do të mund të hapet rrugë për votimin për ekzekutivin e ri, ndërsa derisa të emërohet qeveria e re, Albin Kurti dhe kabineti qeveritar i udhëhequr nga ai do të mbetet në detyrë.