Numri i të vdekurve nga sulmet hakmarrëse të Iranit ndaj Izraelit është rritur në tre, ndërsa të paktën 172 persona janë plagosur, sipas mediave izraelite.
Një grua që u plagos në valën e parë të sulmeve me raketa iraniane ka ndërruar jetë nga plagët, raportoi transmetuesi publik izraelit "Kan".
Dy persona të tjerë që u plagosën në një sulm tjetër me raketa në qendër të Izraelit gjithashtu kanë humbur jetën, thuhet në raport.
Numri i përgjithshëm i të plagosurve nga sulmet iraniane është rritur në 172. Të gjithë janë dërguar në spitale, dhe shumica kanë marrë lëndime të lehta, shtohet më tej.
Rreth 300 izraelitë janë evakuuar nga zona e gjerë e Tel Avivit pasi shtëpitë e tyre janë dëmtuar, ndërsa 100 persona janë evakuuar nga komuna e Ramat Gan, pranë Tel Avivit, raportoi Channel 12.
Raketat iraniane kanë shkatërruar plotësisht nëntë ndërtesa dhe kanë dëmtuar qindra apartamente dhe automjete në Ramat Gan, sipas gazetës "Haaretz".
Në orët e hershme të mëngjesit të së premtes, forcat izraelite sulmuan Iranin, duke goditur objekte bërthamore dhe raketore. Nga sulmet u vranë mbi 104 persona, përfshirë komandantë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë, ndërsa rreth 380 persona u plagosën.
Irani u kundërpërgjigj me raketa balistike, duke goditur disa lokacione në të gjithë Izraelin, ku mbetën të vrarë tre persona dhe mbi 170 të tjerë u plagosën, sipas raporteve.