Ushtria izraelite njoftoi se të shtunën në mëngjes ka kapur dy dronë në rajonin e Galilesë së Sipërme, në veri të vendit.
Në një deklaratë ushtarake thuhej se, pas sirenave që u dëgjuan në zonën e Galilesë së Sipërme, dy dronë të lëshuar drejt Izraelit u kapën nga forcat ajrore.
Sipas deklaratës, sirenat e raketave u aktivizuan për shkak të shqetësimeve për rënie mbetjesh.
Sirenat kishin rënë më herët edhe në Galilenë e Sipërme dhe afër Kiryat Shmona, pranë kufirit të Izraelit me Libanin.
Ushtria gjithashtu bëri të ditur se forcat ajrore kishin kapur disa dronë të tjerë të lëshuar drejt territorit izraelit, pas alarmimeve që u aktivizuan në zonat e Judesë dhe Detit të Vdekur në Bregun Perëndimor të pushtuar juglindor.
Agjencia gjysmëzyrtare iraniane Tasnim raportoi se dronët vetëvrasës të tipit Arash “goditën me sukses dhe shkatërruan plotësisht objektivat e caktuara në thellësi të Izraelit.”
Në orët e para të mëngjesit të së premtes, forcat izraelite sulmuan Iranin, duke goditur objekte bërthamore dhe raketore, duke vrarë mbi 104 persona, përfshirë komandantë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë, si dhe duke plagosur gati 380 të tjerë.
Irani u përgjigj me raketa balistike duke goditur disa zona në gjithë Izraelin, duke vrarë tre persona dhe plagosur mbi 90 të tjerë, sipas raportimeve.