BOTA
2 minuta leximi
Von der Leyen: Perëndimi ashtu siç e njihnim nuk ekziston më
Kryetarja e Komisionit Evropian thotë se politikat e Presidentit amerikan Trump po sjellin ndryshime “historike” dhe thekson se BE-ja duhet të “luajë një rol shumë aktiv” në formësimin e rendit të ri botëror.
Von der Leyen: Perëndimi ashtu siç e njihnim nuk ekziston më
Von der Leyen: Perëndimi ashtu siç e njihnim nuk ekziston më / TRT Balkan
16 Prill 2025

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi të martën se politikat e presidentit amerikan Donald Trump po sjellin ndryshime “historike”, duke e detyruar Bashkimin Evropian të “luajë një rol shumë aktiv” në formësimin e këtij rendi të ri botëror.

“Perëndimi ashtu siç e njihnim nuk ekziston më,” tha von der Leyen për gazetën gjermane Die Zeit, duke shtuar se megjithëse ka qenë një “atlantiste e bindur” dhe një “mike e madhe e ShBA-së”, kriza aktuale mes administratës amerikane dhe Evropës së bashku me sfida më të gjera gjeopolitike e detyrojnë BE-në të marrë masa përkatëse.

“Ajo që ne e perceptonim si rend botëror po shndërrohet në një çrregullim botëror, i nxitur jo pak nga përplasja për pushtet mes Kinës dhe ShBA-së, por sigurisht edhe nga ambiciet imperialiste të Putinit,” tha von der Leyen. “Prandaj kemi nevojë për një BE tjetër, të re, që është e gatshme të dalë në botën e madhe dhe të luajë një rol shumë aktiv në formësimin e këtij rendi të ri botëror që po vjen.”

Von der Leyen argumentoi se pas politikave agresive tregtare të presidentit amerikan Donald Trump, Bashkimi Evropian ka ruajtur forcën e tij ndërkohë që ka tërhequr interes gjithnjë e më të madh nga vende të tjera, falë parashikueshmërisë dhe besueshmërisë së bllokut me 27 anëtarë.

“Një efekt anësor pozitiv është se aktualisht po zhvilloj pafundësisht takime me krerë shtetesh dhe qeverish nëpër botë që duan të bashkëpunojnë me ne për këtë rend të ri,” tha ajo, duke përmendur si shembuj Kanadanë, Indinë, Malajzinë, Indonezinë, Meksikën dhe Amerikën Latine.

Von der Leyen theksoi se megjithëse tregtia me ShBA-në përbën 13 për qind të tregtisë globale,  një shifër e konsiderueshme 87 për qind e mbetur zhvillohet me vende të tjera.

“Të gjithë po kërkojnë më shumë tregti me Evropën dhe nuk bëhet fjalë vetëm për lidhje ekonomike. Bëhet fjalë edhe për vendosjen e rregullave të përbashkëta dhe për parashikueshmëri. Evropa është e njohur për parashikueshmërinë dhe besueshmërinë e saj, që po vlerësohen gjithnjë e më shumë,” tha ajo.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us