Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri informoi sot se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 20 vatra zjarri, nga të cilat 3 janë ende aktive dhe 1 në monitorim.
Sipas të dhënave të raportuara në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në AKMC, këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Bulqizë, Mallakastër, Fier, Kavajë, Vorë, Vau i Dejës, Shkodër, Malësi e Madhe, Has, Krujë, Vlorë, Selenicë, Gjirokastër e Përmet.
Aktualisht mbetet aktive vatra në qarkun Dibër, ku ka vazhduar puna për shuarjen e zjarrit në vendin e quajtur “Mali i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë.
Po ashtu aktive është edhe vatra në qarkun Shkodër. Në vendin e quajtur “Qafa e Lacit”, bashkia Vau-Dejës, prej ditës së djeshme ka një vatër zjarri në një sipërfaqe me lis dhe shkurre. Sipërfaqja e përfshirë nga zjarri është rreth 5 ha.
Në qarkun Gjirokastër, në vendin e quajtur Grohot, ku bëhet grumbullimi i mbeturinave të bashkisë Gjirokastër, prej ditës së djeshme ka një vatër zjarr. Në terren për shuarjen e zjarrit ndodhet grupi i shërbimit me një mjet zjarrfikës.
Ndërkohë në monitorim mbetet vatra e zjarrit në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë. Ditën e sotme zona ku është zhvilluar zjarri është e fjetur dhe me pak tym që vjen nga brendësia e vatrës. Aktualisht në terren zjarri po monitorohet nga 4 forca të ADZM-së dhe 5 forca bashkiake për shuarjen e vatrës së zjarrit.
Kryesisht zjarret janë regjistruar në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, ku si pasojë janë djegur më shumë se 150 hektarë sipërfaqe dhe mbi 1000 rrënjë ullinj.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 29 automjete zjarrfikëse dhe 346 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 130 efektivë.
Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje tё dobëta në qarqet Kukës dhe Elbasan, ndërsa në qarqet Shkodër, Dibër, Tiranë, Berat, Korçë dhe Gjirokastër priten reshje të lokalizuara.
Sa i përket zjarreve në pyje, sot pritet nivel rrezik “i lartë” në qarqet Lezhë, Fier, Berat, dhe Gjirokastër, nivel rrezik “i moderuar” në të gjitha qarqet e tjera.
Strukturat e Mbrojtjes Civile janë të gjitha të angazhuara, për t’i ardhur në ndihmë komunitetit në rast nevoje, ndërsa ftojnë qytetarët të bëjnë kujdes, duke shmangur ndezjen e zjarreve në mjedise të hapura dhe të raportojnë menjëherë pranë shërbimeve zjarrfikëse çdo vatër që konstatojnë.