Në Shqipëri ka filluar forumi me temë "Nga njohuria në veprim: Ripërcaktimi i dialogut në rajonin Euro-Mesdhetar", i cili do të vazhdojë punimet për disa ditë me radhë.
Në ceremoninë e hapjes së forumit në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë ishin të pranishëm zyrtarë, përfaqësues të shoqërisë civile, diplomatë dhe studiues.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, në fjalën e tij në hapje të forumit u shpreh se Mesdheu ka qenë gjithmonë një det lidhjesh, një korridor idesh, tregtie, arti dhe inovacioni, por ka qenë gjithashtu sipas tij edhe një hapësirë tensionesh.
"Për shekuj me radhë, popujt tanë të feve, kulturave dhe traditave të ndryshme kanë jetuar krah për krah në paqe, duke formësuar një shoqëri që instinktivisht kërkon dialog mbi ndarjet dhe ura mbi mure. Brigjet tona, të prekura nga detet Adriatik dhe Jon, na vendosin fort në zemër të Mesdheut. Por më shumë sesa gjeografia, është historia jonë, është kultura jonë, është shpirti ynë që na lidh me këtë hapësirë të përbashkët, një hapësirë me diversitet të thellë, shkëmbime të gjalla dhe tradita të qëndrueshme", tha Hasani.
Ai tha se rajoni Euro-Mesdhetar nuk është thjesht një udhëkryq i qytetërimit, por është një pikë zgjidhjesh. Ministri Hasani theksoi se Shqipëria është një vend ku ndryshimi nuk ka qenë kurrë një kërcënim, por sipas tij ka qenë forca e vendit.
"Tiranën me krenari e quajmë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025"
Kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, në fjalën e saj e konsideroi forumin si një vend për të dëgjuar dhe për të transformuar dialogun.
"Kryeqytetin (Tiranën) me krenari e quajmë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025. Jemi thellësisht të prekur që presim mbi 1.000 pjesëmarrës, udhëheqës të shoqërisë civile, artistë, akademikë, të bashkuar nga qëllimi i pastër për të bashkuar kulturat", tha Ristani.
Presidentja e Fondacionit "Anna Lindh", Rym Ali, u shpreh se e mbajnë këtë forum si një hapësirë unike për të siguruar që zërat e atyre që vuajnë nga një mungesë e madhe dialogu të mund të dëgjohen ende dhe sipas saj për ata që besojnë në humanitetin e përbashkët.
"Të gjithë jemi të barabartë dhe meritojmë të trajtohemi si të tillë, në mënyrë që të gjejnë mënyra për të mbështetur njëri-tjetrin", tha ajo.
Ali u shpreh ndër të tjera se në Palestinë, në tërësi po përsëriten skena të njerëzve që dëbohen me forcë nga toka e tyre stërgjyshore.
Në ceremoninë e hapjes së forumit, disa pjesëmarrës bënë thirrje për "Liri të Palestinës"
Në ceremoninë e hapjes së forumit, disa pjesëmarrës me flamuj të Palestinës në duar bënë thirrje për "Liri të Palestinës".
Ky aktivitetet treditor organizohet nën kujdesin e Fondacionit Anna Lindh (The Anna Lindh Foundation), në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Bashkinë e Tiranës dhe institucione të tjera.
Pjesë e forumit do të jenë zyrtarë, politikanë, përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë të fushave të ndryshme dhe studiues nga vende të ndryshme, që do të diskutojnë mbi temën e forumit në disa penale.