Një grup i qytetarëve kanë marshuar nga Sheshi "Zahir Pajaziti" deri tek hyrja kryesore e Kuvendit të Kosovës në Prishtinë, për të kundërshtuar bllokimin e konstituimit të këtij institucioni.
Udhëhequr nga organizata "Roja e Kohës", protesta filloi në prag të nisjes së seancës së 33-të me radhë për konstituimin e Kuvendit, e cila po ashtu dështoi të prodhojë ndonjë rezultat.
"Bllokadë politike, jo shtet", ishte një nga mesazhet kryesore të vendosura pranë derës së Kuvendit të Kosovës, aty ku u vendosën edhe pesë karrige me emrat e liderëve kryesorë shqiptarë në vend, Albin Kurti, Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj.
Gjithashtu, në mesin e protestuesve, u shfaq edhe një i moshuar me këmishë të shqyer vende-vende dhe të ngjyrosur me të kuqe, për të paraqitur metaforikisht sipas tij mundimet që politika po i bën popullit në Kosovë.
"Deputetët duhet të jenë me popullin, jo me pazaret politike. Po japim një mesazh të qartë është koha për unitet dhe zgjidhje", u shpreh një nga protestuesit.
Sipas tyre, protesta ishte një reagim ndaj bllokimit të vazhdueshëm institucional që, sipas tyre, ka paralizuar vendin.
Pjesë e mesazheve që u përçuan nga protestuesit ishin edhe "S'mund të ketë paga për ata që nuk punojnë", "Populli ka votuar për të mos u bllokuar", "Kushtetuta nuk është lojë politike", e të tjera.
Kuvendi i Kosovës më shumë se katër muaj nuk po arrin të konstituohet. Për herë të 33-të ka dështuar konstituimi i Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës, për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme për votimin e kryetarit të këtij institucioni legjislativ.
Partia më e madhe e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, po e fajëson opozitën për mosmbështetje për ta votuar të propozuarën e saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu. Ndërkohë, një pjesë e opozitës ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje duhet ta ndërrojë kandidaten nëse do mbështetje nga ta.