RAJONI
1 minuta leximi
15 vjet burgim për Zhivojin Nesiq, abuzoi seksualisht gjatë luftës në Kosovë
Nesiq në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të panjohur të forcave serbe ka kryer këtë vepër penale, e dënueshme sipas ligjeve të Republikës Sociale Federale të Jugosllavisë.
15 vjet burgim për Zhivojin Nesiq, abuzoi seksualisht gjatë luftës në Kosovë
15 vjet burgim për Zhivojin Nesiq, abuzoi seksualisht gjatë luftës në Kosovë / AA
17 Qershor 2025

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 15 vjet burgim qytetarin e komunitetit serb Zhivojin Nesiq, për krime në luftë dhe krime kundër popullsisë civile, përkatësisht dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë.

Aktgjykimi u shpall nga gjykatësja Violeta Namani-Hajra, e cila tha se Nesiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të forcave serbe ka kryer këtë vepër penale, e dënueshme sipas ligjeve të Republikës Sociale Federale të Jugosllavisë.

"Dëshmitë e të dëmtuarës gjejnë mbështetje në dëshmitë e dëshmitarëve okularë A.A., H.A., dhe H.H., ku nga këto dëshmi, gjykata ka vërtetuar se Zhivojin Nesiq me përdorimin e dhunës fizike dhe psiqike dhe veprimeve çnjerëzore, ka kryer dhunim seksual ndaj femrës së nacionalitetit shqiptar. Dhe me këto veprime të kundërligjshme, Zhivojin Nesiq ka kryer veprën penale për të cilën është shpallur fajtor dhe është dënuar sipas ligjit", tha Namani-Hajra.

Dënimi prej 15 vjetësh, përfshin në llogari edhe kohën e paraburgimit, nga data 5 mars e vitit 2024.

Aktakuza ndaj Nesiq u ngrit nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 26 gusht të vitit 2024, ndërsa gjykimi ndaj tij është kryer me dyer të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us