POLITIKË
2 minuta leximi
Rubio: Vendet e NATO-s duhet të shpenzojnë 5 për qind të PBB-së për mbrojtjen
Sekretari amerikan i Shtetit, Rubio, pranoi se ShBA-ja, me rreth 3,36 për qind të PBB-së së saj kushtuar mbrojtjes që nga viti 2023, do të duhet gjithashtu t'i rrisë shpenzimet e saj.
Rubio: Vendet e NATO-s duhet të shpenzojnë 5 për qind të PBB-së për mbrojtjen
Rubio: Vendet e NATO-s duhet të shpenzojnë 5 për qind të PBB-së për mbrojtjen / Reuters
3 Prill 2025

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se vendet anëtare të NATO-s duhet të shpenzojnë deri në 5 për qind të prodhimit të tyre të brendshëm bruto (PBB) për mbrojtjen.

"Lufta për terren në zemër të Evropës është një kujtesë se fuqia e fortë ende është e nevojshme si një pengesë dhe kështu ne duam të largohemi nga këtu me një mirëkuptim se jemi në një rrugë, një rrugë realiste për secilin prej anëtarëve që angazhohen dhe përmbushin premtimin për të arritur deri në 5 për qind të shpenzimeve (të PBB-së)", tha Rubio, duke folur për gazetarët para takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel.

Ai pranoi se ShBA-ja, me rreth 3,36 për qind të PBB-së së saj kushtuar mbrojtjes që nga viti 2023, do të duhet gjithashtu t'i rrisë shpenzimet e saj.

Duke mohuar pretendimet se ShBA-ja do të tërhiqet nga NATO-ja si "histeri dhe hiperbolë", sekretari amerikan theksoi se administrata e presidentit Donald Trump mbetet një avokate e vendosur e një NATO-je më të fuqishme dhe më të aftë.

"Dhe, e vetmja mënyrë që NATO-ja të mund të bëhet më e fuqishme dhe më e qëndrueshme janë partnerët tanë, shtetet kombëtare që përbëjnë këtë aleancë të rëndësishme, duke pasur më shumë aftësi. Ky është një koleksion jo vetëm i partnerëve dhe aleatëve, por edhe i ekonomive të përparuara, i vendeve të pasura që kanë aftësinë për të bërë më shumë", shtoi ai.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vlerësoi përpjekjet e ShBA-së për të vendosur paqe në Ukrainë. Ai theksoi punën e Evropës për t'i ofruar Ukrainës më shumë mbështetje përballë agresionit rus, të cilin e quajti një kërcënim kryesor.

Rutte tha se Kina, Koreja e Veriut dhe Irani janë të gjithë mbështetës të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, si dhe pjesë e aksit që kërcënon aleancën.

"Në këtë sfond, teatri Indo-Paqësor dhe ai evropian po ndërlidhen gjithnjë e më shumë dhe duhet të trajtohen si të tillë", tha shefi i NATO-s.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us