RAJONI
3 minuta leximi
Rama: Shqipëria e linjëzuar me BE-në, synojmë mbylljen e negociatave deri në 2027
"Kemi një linjëzim të plotë në të gjitha aspektet, gjë që shprehet më së miri edhe në politikën e jashtme të Republikës së Shqipërisë e cila është 100 për qind e linjëzuar me politikën e BE-së", tha Rama.
Rama: Shqipëria e linjëzuar me BE-në, synojmë mbylljen e negociatave deri në 2027
Rama: Shqipëria e linjëzuar me BE-në, synojmë mbylljen e negociatave deri në 2027 / TRT Balkan
8 Prill 2025

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Shqipëria ka një linjëzim të plotë në të gjitha aspektet me Bashkimin Evropian (BE). 

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryediplomaten e BE-së, Kaja Kallas, pas takimit mes tyre, Rama tha se kanë folur për "sfidën e madhe të procesit drejt BE-së" dhe për "kalendarin shumë ambicioz të dakorduar me komisionin për mbylljen e negociatave brenda vitit 2027".

Rama u shpreh se mes Shqipërisë dhe BE-së nuk ka asnjë problem apo çështje të hapur. "Kemi një linjëzim të plotë në të gjitha aspektet, gjë që shprehet më së miri edhe në politikën e jashtme të Republikës së Shqipërisë e cila është 100 për qind e linjëzuar me politikën e BE-së", tha Rama.

Ai shtoi se kanë folur edhe për rajonin dhe për problematikat në rajon në një moment sipas tij kur "ne e kemi të domosdoshëm unitetin dhe stabilitetin e të gjithë rajonit, ku fatmirësisht të gjitha vendet kanë synim të shpallur strategjik anëtarësimin në BE".

Duke theksuar se kanë prekur edhe çështjen e bashkëpunimit strategjik në fushën e sigurisë, Rama tha se "Popujt e Evropës sot më shumë se asnjëherë më parë e ndiejnë që lufta nuk është një film bardhë e zi i së shkuarës dhe as një ngjarje spontane që ndodh në kufijtë e Evropës, por është një kërcënim real ndaj të cilit Evropa duhet të shtrëngojë radhët dhe duhet të forcohet. Pa diskutim që pjesë e këtij angazhimi është dhe Shqipëria në përmasën e vet".

Rama tha se janë duke u përgatitur shumë intensivisht për samitin e Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet në Tiranë në datën 16 maj, ku sipas tij do të vijnë të gjithë udhëheqësit e kontinentit, ndërkohë shtoi se "Kam parasysh kontinentin demokratik evropian, që nga Britania tek Azerbajxhani, nga Suedia tek Türkiye për të trajtuar temat e këtij samiti të radhës dhe kjo është diçka e jashtëzakonshme për Shqipërinë".

Pyetjes në lidhje me qëndrimin sa i përket tarifave të vendosura nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, Rama iu përgjigj "Unë s’kam asnjë koment për këtë, s’kemi asnjë shqetësim lidhur me atë temë. Qasja jonë ndaj gjithë kësaj politike të re që po bëhet me tarifat është një qasje shumë e thjeshtë dhe në një farë mënyre komode për vetë pozicionin tonë, për vetë volumin e tregtisë që ne kemi me ShBA-në dhe në rast se i referoheni edhe tabelës së tarifave të shpallura nga salla ovale, ne nuk kemi arsye të kemi asnjë shqetësim".

Firmoset marrëveshja e grantit për financimin e projektit të hekurudhës Durrës-Rrogozhinë

Pas takimit Rama-Kallas, u firmos marrëveshja e grantit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Investime për financimin e projektit të hekurudhës Durrës-Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII, që sipas autoriteteve shqiptare është një arterie kyçe që do të lidhë Shqipërinë me rrjetin evropian të transportit dhe do të forcojë më tej rolin e vendit si një nyje lidhëse në rajon.

Marrëveshja u firmos nga zëvëndëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Belinda Balluku dhe drejtori i Bankës Evropiane për Investime, Lionel Rapaille.

Ndërkohë, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në një takim përfaqësuesen e lartë të BE-së, Kaja Kallas. Sipas një njoftimi nga Presidenca e Shqipërisë, në fokus të këtij takimi ishte procesi i zgjerimit evropian në rajonin e Ballkanit, ecuria e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit në BE, politika e jashtme e Shqipërisë dhe roli i saj në rajon. Kallas është takuar edhe me zyrtarë të tjerë të Shqipërisë.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us