Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Igor Fillkov, ka pritur në takim homologun e tij nga Mali i Zi, Bojan Bozhoviq, të cilët pas takimit nënshkruan një deklaratë të përbashkët për bashkëpunim në fushën e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit.
Në konferencën e përbashkët për media me ministrin Bozhoviq, ministri Fillkov theksoi se të dy vendet kanë shumë ngjashmëri në procesin e reformave, veçanërisht në fushën e integrimeve evropiane dhe se në takim u shkëmbyen përvoja dhe praktika që do të ndihmojnë në tejkalimin e sfidave në rrugën e vendeve drejt Bashkimit Evropian (BE).
Fillkov njoftoi nënshkrimin e deklaratës për bashkëpunim, e cila, siç tha ai, do ta riafirmojë përkushtimin dhe shkëmbimin e përvojave mes dy vendeve në disa fusha, si në forcimin e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit në kuadër të integrimit në BE, në përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në mbështetjen për reformat ligjore dhe forcimin e institucioneve, përfshirë mundësitë për mbështetje institucionale dhe financiare, si dhe në digjitalizimin e proceseve gjyqësore dhe rritjen e transparencës përmes shërbimeve elektronike.
Ministri Bozhoviq, nga ana e tij, theksoi se dy vendet nuk kanë çështje të hapura dhe se bashkëpunimi mund të thellohet edhe më tej duke marrë parasysh bashkëpunimin e suksesshëm në fushën e sundimit të ligjit.
“Bashkëpunimi mund të jetë me të vërtetë shumë intensiv dhe kjo reflektohet në përpjekjet tona të përbashkëta në rrugën drejt BE-së. Sot ne pamë se Ministritë e Drejtësisë me të vërtetë mund të bashkëpunojnë në të gijtha fushat teknike dhe eksperte dhe kjo mund të rezultojë me anëtarësimin në BE”, tha Bozhoviq.
I pyetur nëse Mali i Zi ka marrë ndonjë garanci pas vizitës së djeshme të shefes së punëve të jashtme të BE-së, Kaja Kallas, Bozhoviq tha se Mali i Zi planifikon t'i mbyllë kapitujt e negociatave deri në fund të vitit 2026 dhe të hyjë në BE në vitin 2028.
“Kroacia nuk ka dhënë pëlqimin e saj për mbylljen e një kapitulli, i cili është i 31-ti, që ka të bëjë me politikën e jashtme. Kapitulli i negociatave është ndër të fundit që mbyllet, kështu që besoj se përmes dialogut me Kroacinë do t’i zgjidhim të gjitha çështjet e hapura”, tha ai.