Kompania turke Radio Teknoloji do të prezantojë sistemin e saj hibrid pa tel Astradrive në Panairin Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF 2025), i cili do të mbahet më 22-27 korrik në Qendrën e Panairit të Stambollit.
Radio Teknoloji zhvillon zgjidhje për lidhje të gjerë pa tel, të dizajnuara për të funksionuar në kushte të vështira, si për qëllime civile ashtu edhe ushtarake. Astradrive pritet të hapë një kapitull të ri në lidhjen pa tel për operacione të sigurisë, detare dhe industriale.
Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Radio Teknoloji, Ilyas Pehlivanoglu, i tha agjencisë Anadolu se Astradrive është projektuar për të ofruar lidhje me vonesë të ulët, gjerësi të lartë bande dhe lidhje të pandërprerë në kushte ku zgjidhjet tradicionale dështojnë, duke siguruar lëvizshmëri të plotë dhe mbulim të gjerë edhe në kushte me ndërhyrje të lartë.
Arkitektura e sistemit, e përshtatshme për teknologjinë 6G, e bën atë një zgjidhje të gatshme për të ardhmen, ndërsa aftësitë për transmetim të të dhënave në kohë reale dhe për koordinim në distancë i japin mundësinë të funksionojë pa ndërprerje.
Me dizajnin e vetë-rindërtues të rrjetit mesh, Astradrive do të mbështesë qendrat komanduese mobile, objektet industriale, sigurinë e infrastrukturës dhe survejimin në distancë.
Njësia e tipit "shpinore" (me dizajn që mbahet në shpinë) ofron mbulim me radio për personelin në terren, përmes rrjeteve mesh dhe topologjive me yll, duke mundësuar komunikim të pandërprerë me automjetet komanduese dhe ekipet mobile.
Mbulimi pa tel me rreze të gjatë i Astradrive siguron lidhje të besueshme nga anijet drejt bregut në hapësira detare të hapura. Përbërësit e sistemit të ndërtuar sipas standardeve detare janë rezistentë ndaj korrozionit dhe kushteve të vështira atmosferike, ndërsa veçoria e modulimit të adaptueshëm e lejon përdorimin gjatë lëvizjes – thelbësore për koordinimin e flotës, lundrim të sigurt dhe integrim me operacionet portuale.
I ndërtuar për t’u përballuar me pluhurin, dridhjet dhe temperaturat ekstreme, Astradrive gjithashtu funksionon në mjedise minierash dhe industriale, duke mbështetur kontrollin në distancë të pajisjeve, monitorimin në kohë reale dhe mirëmbajtjen parandaluese.
Astradrive do të lejojë që dhjetëra anije në det të hapur dhe automjete ushtarake në lëvizje të transmetojnë të dhëna me gjerësi bande 200 megabyte për sekondë në një distancë prej 30 kilometrash.