RAJONI
3 minuta leximi
22 policë kosovarë kryejnë trajnimin për mbrojtjen e personave VIP
Trajnimi u realizua nga TIKA në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Türkiyes, Departamentit të Mbrojtjes pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Türkiyes, si dhe me mbështetjen e Policisë së Kosovës.
22 policë kosovarë kryejnë trajnimin për mbrojtjen e personave VIP
22 policë kosovarë kryejnë trajnimin për mbrojtjen e personave VIP / AA
16 Prill 2025

Në Vrellë të Lipjanit është mbajtur ceremonia e diplomimit të 22 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në trajnimin “Mbrojtja e Personave Shumë të Rëndësishëm (VIP)”.

Trajnimi u realizua nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Türkiyes, Departamentit të Mbrojtjes pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Türkiyes, si dhe me mbështetjen e Policisë së Kosovës, në kuadër të projektit “Bashkëpunimi Ndërkombëtar për Trajnimin e Policisë 2025”, nga 7 deri më 16 prill 2025.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, ambasadori i Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, tha se Türkiye do të vazhdojë të mbështesë Kosovën me të gjitha mjetet që ka në dispozicion që ajo të jetojë e pavarur dhe sovrane përgjithmonë.

Në këtë kontekst, Angili tha se organizatat e sigurisë luajnë një rol të rëndësishëm në procesin e ndërtimit dhe forcimit të shtetit.

“Prandaj, ne do të vazhdojmë ta mbështesim Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës me të gjitha mjetet që kemi në dispozicion. Falënderoj edhe një herë TİKA-n dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme për mbështetjen”, tha ai.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Kosova sot ka institucione të fuqishme, polici profesionale dhe të avancuara në aspektin profesional.

Ai tha se ky zhvillim po bëhet pikë së pari falë vullnetit të pjesëtarëve të policisë dhe të institucioneve, por gjithsesi edhe mbështetjes së aleatëve, përfshirë edhe Türkiyes.

“Në çdo cep të Republikës tonë, çdo komponentë e Policisë së Kosovës, shërben me profesionalizëm falë trajnimeve të vazhdueshme që janë realizuar që nga themelimi i saj. I dëshmuar edhe në këtë rast, ky kontribut i vazhdueshëm dhe i parezervë i Republikës së Türkiye dhe organizatave të saj ka mundësuar që përvojat më të mira të fituara nga policët tanë të përcillen në çdo gjeneratë të re të Policisë së Kosovës”, theksoi Sveçla.

Sveçla tha se ky trajnim do të shërbejë jo vetëm për personalitetet në Kosovë, por edhe atyre që vizitojnë Kosovën.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, tha se edhe ai vet e ka kryer këtë trajnim në vitin 2002 dhe se kjo njësi e ka dëshmuar veten nga atëherë deri në ditët e sotme.

“Kjo është dëshmuar që nga ajo kohë deri më sot. Në asnjë rast, VIP personat që ne kemi pasur në mbrojtje, sikur ata të nivelit qeveritar apo delegacion të huaj, nuk kanë pësuar ndonjë lëndim apo incident gjatë përcjelljes që kemi pasur mbi ta”, theksoi Hoxha.

Ky rezultat, tha Hoxha, nuk është arritur vetë nga policia, por falë mbështetjes nga qeveria dhe miqtë ndërkombëtarë.

Duke theksuar se projekti “Bashkëpunimi Ndërkombëtar për Trajnimin e Policisë” filloi në vitin 2007 dhe vazhdon sot në rreth 40 vende, koordinatorja e TIKA-s, Fulya Aslan, njoftoi se 140 policë janë trajnuar në dhjetë programe të ndryshme në kuadër të projektit të nisur në Kosovë në vitin 2017.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us