Ambasadorët e huaj pritet të marrin pjesë nesër në seancën e e 52-të konstitutive në Kuvendin e Kosovës.
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë njofton se duke pasur parasysh se nesër është afati i fundit për të konstituuar Kuvendin, Ambasadori Jorn Rohde, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë, planifikojnë të marrin pjesë në seancën parlamentare.
“Duke pasur parasysh se nesër është mundësia e fundit për të konstituuar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetuese, Ambasadori Rohde, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të marrë pjesë në seancën në parlament”, thuhet në njoftim.
Më 26 korrik skadon afati i Gjykatës Kushtetuese, e cila i ka urdhëruar deputetët që konstitutojnë Kuvendin brenda një muaji.
Presidentja Vjosa Osmani të martën iu drejtua Kushtetueses, mes tjerash për të kërkuar masë të përkohshme për ndalimin e rrjedhjes së afatit 30-ditor për konstitutimin e Kuvendit, ku në bazë të aktgjykimit të Kushtetueses janë obliguar deputetët që deri më 26 korrik të zgjedhin trupat e Kuvendit, por pa specifikuar pasojat juridike.
Kryesuesi i seancës konstitutive, Avni Dehari, e ndërpreu seancën të mërkurën, më 23 korrik, duke thënë se nuk ka kushte për mbajtjen e saj. Kjo erdhi pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ia largoi mikrofonin Deharit.
Dehari pasi këtij veprimi të Musliut e ndërpreu seancën dhe e shtyu për në datën 25 korrik, në orën 11:00. Ai nuk e hodhi fare në votim formimin e komisionit të fshehtë.