Në 24 orët e fundit, 89 trupa të pajetë janë sjellë në spitale dhe 467 persona janë plagosur, duke e çuar numrin total të të plagosurve në 143.965.
“Shumë viktima ndodhen ende nën rrënoja apo në rrugë, pasi ekipet e shpëtimit nuk arrijnë dot tek ta,” shtoi ministria.
Po ashtu, raportohet se në 24 orët e fundit, 9 palestinezë u vranë dhe mbi 45 të tjerë u plagosën teksa përpiqeshin të merrnin ndihma humanitare. Kështu, që nga 27 maji, numri i palestinezëve të vrarë gjatë përpjekjeve për të marrë ndihmë është rritur në 1.092, ndërsa mbi 7.320 janë plagosur.
Ushtria izraelite rifilloi sulmet ndaj Gazës më 18 mars, duke vrarë që atëherë 8.527 persona dhe plagosur 31.924 të tjerë, duke shkelur marrëveshjen e armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve që ishte në fuqi që nga janari.
Në nëntor të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare (GjPN) lëshoi urdhërarrest për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në këtë enklavë.